fbpx

Adem Grabovci, Ukë Rugova, Azem Syla, një ministër dhe deputet – kush janë zyrtarët që SHBA nuk u jep më viza

Adem Grabovci, Ukë Rugova, Azem Syla, Sami Lushtaku, Besim Beqaj, Zenun Pajazit dhe Astrit Haraqija së bashku me dhjetëra të tjerë të akuzuar për rastet më të rënda në Kosovë nuk do të mund të udhëtojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasada e SHBA-ve në Kosovë ka njoftuar se ka vendosur mos t’u japë viza të akuzuarve për raste të ngjashme.

Adem Grabovci, Ukë Rugova, Azem Syla, një ministër dhe deputet – kush janë zyrtarët që SHBA nuk u jep më viza

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, iu kanë vendosur sanksione zyrtarëve të Kosovës që janë duke u akuzuar për rastet më të rënda korruptive në vend. Janë përmendur disa prej rasteve më të mëdha korruptive në vend.

Në këto raste janë të përfshirë disa anëtarë të PDK-së. Aktualisht në mesin e këtyre personave gjendet edhe ministri në Qeverinë e Kosovës dhe një deputet. Besim Beqaj që udhëheq ministrin e Inovacionit, sipas këtij vendimi nuk do të mund të udhëtojë për në SHBA. Pa viza ka mbetur edhe Zenun Pajazit

Përveç tyre edhe dy ish-deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), nuk do të mund të udhëtojnë për në SHBA. Adem Grabovcit të akuzuar në rastin “Pronto” dhe Azem Syla në rastin “Toka” nuk do t’i jepet viza për në SHBA.

Vizë për SHBA nuk do të ketë as për Sami Lushtakun për ikje nga burgu i Dubravës. Ky i fundit së fundmi udhëtoi edhe për në Hagë, ku u ftua nga Gjykata Speciale.

Përveç zyrtarëve të PDK-së në këtë “listë të zezë” është futur edhe djali ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Ukë Rugova i akuzuar për rastin me viza italiane nuk do të mund të udhëtojë për në SHBA.

Insajderi kishte publikuar një seri shkrimesh në hulumtimin “Dosja Grande”, aty theksohej për rolin e Ukë Rugovës dhe të  Astrit Haraqisë. Në aktakuzë po ashtu janë përfshirë edhe persona të tjerë që kishin kontribuar në mashtrimin me viza italiane.

Një hulumtim tjetër i publikuar nga Gazeta Online Insajderi  “Dosja e Shefave”, kishte nxjerr në pah rolin aktiv të Adem Grabovcit dhe Beism Beqajt.

Në përgjimet e publikuar, vërehej ndikimi i Grabovit dhe Beqajt që përzgjidhnin persona politik për t’i emëruar në pozita udhëheqëse të ndërmarrjeve publike. Të dy kishin marrë ‘bekimin’ nga Hashim Thaçi që t’i emëronin në krye të ndërmarrjeve personat e afërt me PDK-në. Në aktakuzë janë përfshirë 11 persona.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”.  Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P”, kishte njoftuar të premten Prokuroria Speciale.

Ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Azem Syla, është në krye të listës së personave për rastin që njihet si Toka.

21 të tjerë i bashkohen grupit të cilin aktakuza e përshkruan si “një nga më aktivët, më të strukturuarit, më të organizuarit për nga hierarkia, më solidët dhe më jetëgjatët në historinë e Kosovës”.

Përveç Azem Sylës, në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe Shaban Syla, Shpresim Uka, Fahredin Gashi, Hajrullah Berisha, Ramadan Uka, Arton Vila, Avdyrrahman Brajshori, Ilaz Syla, Lubisha Vujoviq, Gazmend Gashi, Nuhi Uka, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Shqipe Maxhuni, Elheme Uka, Shqipe Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj dhe Mustafë Haliti.

Insajderi në vazhdimësi kishte raportuar për rastin Toka.

Po ashtu SHBA përmend edhe dy raste të tjera gjyqësore që të akuzuarit do t’i sanksioni me refuzim të vizave. Rastin Apex dhe rastin e ikjes nga burgu i Dubravës.

Në rastin e ikjes nga Dubrava është i përfshirë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku. Sipas aktakuzës, Sami Gjoka doktor në QKUK e Nexhib Shatri, doktor në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, kanë lëshuar raporte false mjekësore dhe kanë kërkuar ekzaminime mjekësore për Sami Lushtakun, për t’i mundësuar atij të dilte jashtë Qendrës së Paraburgimit.

Ndërkohë që rasti i fundit i cili është përmendur nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë njihet si rasti  “Apex”.

11 të dyshuarit e këtij rasti ishin vëllezërit Arben e Astrit Krasniqi, Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Luan Halili, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve  dhe narkotikëve.

Gjatë ditës së sotme përmes një komunikate për media ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka njoftuar se do t’u refuzojë të gjithë zyrtarëve të Kosovës që janë të përfshirë në raste korruptive.

“Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashme”, theksohet në komunikatë të SHBA-ve./Insajderi.com