Afganistan: Vritet Farishta Kohistani, aktiviste e të drejtave të grave

Afganistan: Vritet Farishta Kohistani, aktiviste e të drejtave të grave

Një aktiviste e njohur e të drejtave të grave është vrarë me armë zjarri në Afganistan përderisa një varg sulmesh të tilla vazhdojnë të shkaktojnë panik në vendin e shkatërruar nga lufta, transmeton Insajderi.

Ministria e Punëve të Brendshme e Afganistani konfirmoi se Farishta Kohistani u qëllua në rrethin Kohistan të provincës Kapisa nga një person i panjohur në motoçikletë, raporton Anadolu Agency (AA).

Guvernatori i rrethit Kohistan, Hamza Khan, për Anadolu Agency tha se edhe vëllau i Farishta-s u vra në këtë sulm që ndodhi në zonën Deh-e-Nau, që ndodhet rreth 120 kilometra larg nga kryeqyteti Kabul.

Deri më tani askush nuk ka marrë përsipër sulmin.

Një ditë më parë, kreu i Fondacionit për Zgjedhje të Lira dhe të Drejta të Afganistanit, Mohammad Yusuf Rasheed, u vra me armë zjarri në Kabul.

Sipas shifrave të përpiluara nga Forumi i Shoqërisë Civile dhe Komiteti i Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, gjatë këtij viti në Afganistan jetën e kanë humbur 23 mbrojtës të të drejtave dhe aktivistë civilë.

Kryetari i Forumit të Shoqërisë Civile, Aziz Rafii, në një konferencë për media në Kabul tha se shumica e këtyre aktivistëve janë vrarë nga kryengritësit talebanë në provinca të pasigurta.

Të paktën pesë persona, përfshirë katër mjekë të institucionit kryesor të burgut në Afganistan, u vranë të martën në një shpërthim bombe në Kabul.

Deri më tani nuk ka pasur asnjë pretendim të përgjegjësisë për këto sulme, pasi një varg sulmesh identike kanë shqetësuar kombin e shkatërruar nga lufta mes bisedimeve të bllokuara të paqes që po mbahen në Katar midis qeverisë afgane dhe talebanëve.

Bisedimet kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit gati dy dekadësh pas një marrëveshjeje historike të paqes midis SHBA-ve dhe talebanëve, e arritur më herët në muajin shkurt që kërkon tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga Afganistani. /Insajderi.com