
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur një mbledhje ku ka certifikuar listat e partive dhe koalicioneve partiake për deputet dhe ka prezantuar edhe të dhënat e votuesve.
Përpos 33 mijë e 542 votues që janë hequr nga lista pasi kanë vdekur brenda periudhës kur janë mbajtur zgjedhjet e fundit 15 mijë më pak janë hequr nga lista por jo se kanë vdekur.
Nga lista e votuesve sipas KQZ-së janë hequr edhe 19 mijë e 796 votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Kjo ka ardhur pasi shumë shtete të BE-së por edhe vende të tjera kanë vënë si kusht vetëm një shtetësi në mënyrë që të merret leja e qëndrimit të përheshëm.
Kosova para tri viteve u përfshi nga një valë e madhe e njerëzve që ia mësynë migrimit ilegal duke e vënë Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Vetëm dje, një agjenci e lajmeve gjermane botoi një artikull me titull “I fundit t’i fikë dritat”, duke iu referuar dëshirës së kosovarëve për të mos jetuar në Kosovë.
Përmes një artikulli të realizuar rreth Ballkanit, me fokus Kosovën, agjencia gjermane e lajmeve RedaktionsNetzwerk Deutschland (RND) raportoi se “çdo i dyti kosovar jeton me më pak se 1 euro e 40 cent në ditë, çdo i gjashti fëmijë është i kequshqyer. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 35 për qind e 15 deri 24 vjeçarëve nuk shkojnë në shkollë apo universitet, as nuk janë të punësuar”./Insajderi.com