Agim Bahtiri komenton kërcënimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë

Agim Bahtiri komenton kërcënimet e Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri në një postim në facebook ka bërë thirrje te partitë politike që të tregohen të matura, karshi kërcënimeve të Listës Serbe për rrëzimin e qeverisë.

Nënkryetari i AKR-së, parti që është në pushtet, ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta përcaktojë fatin e qeverisë.

“Deklarimi i deputetëve të Listës Serbe se me votat e tyre do ta rrëzojnë Qeverinë e Kosovës, është një sprovë që partitë politike shqiptare duhet t’i përgjigjen me maturi, duke mos ia dhënë këtë mundësi Serbisë përmes disa individëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Lista Serbe nuk mundet ta përcaktoj fatin e Qeverisë së Kosovës, pasi që ka deputetë që kanë gjak shqiptari dhe nuk do ta lejojnë këtë, pavarësisht partive politike prej të cilave vijnë”, ka shkruar Bahtiri në facebook, transmeton Insajderi.

Ai tutje ka thënë se deputetët shqiptarë duhet të tregohen të bashkuar, ndaj partisë që sipas tij varet nga Beogradi.

“Pra, jam i bindur se deputetët shqiptarë nuk do ta lejojnë Listën Serbe të trazoj skenën politike në Kosovës, përmes urdhrave që dhjetë deputetë serb i marrin nga Beogradi. Kur është në pyetje interesi i Kosovës, partitë politike shqiptare historikisht janë rreshtuar në anën e drejt të popullit. Fatin e Qeverisë duhet ta përcaktojnë deputetët shqiptar dhe të partive minoritare që e pranojnë shtetin e Kosovës dhe punojnë për zhvillimin e tij”, përfundon postimi në facebook i Agim Bahtirit.

Lista Serbe dje përmes një komunikate, ka shprehur gatishmëri t’i jap votat për rrëzimin e qeverisë.

Kjo pas masës që qeveria e ka vendosur për produktet serbe dhe atyre të Bosnjës. /Insajderi.com