Agim Çeku tregon se kush po synon ta keqpërdor statusin e veteranit

Agim Çeku tregon se kush po synon ta keqpërdor statusin e veteranit

Numri i madh i veteranëve nuk është problem, vlerëson Agim Çeku, duke iu përgjigjur akuzave që po i bëhen në drejtim të tij, për fryrje të listave.

Por për të keqpërdorues janë ata veteranë që synojnë të përfitojnë nga këto pensione, ani pse të njëjtët janë të punësuar dhe tentojnë të marrin pagë nga buxheti.

Çeku pranon për Express se numri i atyre që kanë qenë pjesë e luftës, ka dalë më i madh se që është pritur, por sqaron se statusin nuk ia ka nënshkruar ai, por këtë thotë se e kanë bërë komandantët e tyre.

Madje Çeku hedh akuza në drejtim të Qeverisë së kaluar për, siç tha ai, lehtësimet që janë krijuar në aplikime.

Muaj më parë, Prokuroria ka nisur hetimet nëse janë bërë mashtrime me këto lista.

“Është e vërtetë se numri ka dalë më i madh se që kemi pritur. Por unë si kryetar i këtij komisioni e kam menaxhuar këtë proces dhe nuk ka veteranë që unë ia kam nënshkruar statusin. Çdo veterani statusin ia ka caktuar dhe nënshkruar komandantët e tyre, duke filluar nga komandantët e kompanisë, të batalioneve, brigadave e zonave dhe mu m’i kanë pru si kryetar i komisionit, komandantët apo përfaqësuesi i zonave të cilët kanë qenë anëtarët e komisionit dhe ata m’i kanë pru listat dhe unë normal që bashkëpunëtorëve të mi ju besoj dhe i kam nënshkruar ato”, u shpreh ai.

Ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, vlerëson se nuk është problem që janë 46 mijë veteranë, por shqetësimi, sipas tij, është se shumë prej tyre që kanë aplikuar, janë deklaruar si të papunë.

“Unë personalisht nuk kam marrë vendim për asnjë veteran. Këtu ka keqpërdorime sepse nuk është problem që janë 46 mijë veteranë por problemi është se shumë prej tyre kur kanë apliku, vetëm 11 mijë kanë deklaruar se janë të papunë dhe janë në gjendje të rëndë, tani janë bërë mbi 30 mijë. Mendoj që Qeveria e mëparshme e ka bë një udhëzim administrativ me kushte shumë të lehta që ata mund të përfitojnë p.sh. ka shumë veteranë që nuk gëzojnë pagë në Kosovë, pra nuk janë të punësuar këtu dhe normalisht që në ATK nuk figurojnë si tatimpagues apo diçka dhe jetojnë jashtë vendit dhe i shfrytëzojnë këto beneficione, problemi është se kush po e keqpërdor buxhetin e Kosovës”, thotë ai ndër tjerash.

Ai kërkon që Qeveria të bëjë një udhëzim të ri administrativ dhe të përcaktojë kushte më konkrete se kush mund të përfitojë nga këto pensione.

Kujtojmë se për listat e fryra të veteranëve, Prokuroria ka nisur hetime në muajin qershor dhe deri më tani zyrtarisht nuk është bërë e ditur se deri ku ka shkuar faza e hetimeve.

Derisa nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ditë më parë vendosi që t’i ndajë mjetet për të gjithë veteranët./GazetaExpress/