Agim Veliu demaskon Haki Abazin: Lobonte përmes miqve të mi të më takonte, por e refuzoja

Agim Veliu demaskon Haki Abazin: Lobonte përmes miqve të mi të më takonte, por e refuzoja

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Haki Abazi, zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë, ishte përpjekur që përmes tij të bëhej pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Veliu, në një shkrim në Facebook, ka deklaruar se Abazi “s’ka lënë derë pa përgjëruar” që të aderonte në LDK. Ka thënë se askush në LDK nuk ia ka dhënë rastin Abazit që të bëhej pjesë e partisë.

“Njeriu që nuk la njeri brenda e jashtë LDK-së pa përgjëruar që t’i hapej dera e Lidhjes Demokratike, që të akomodohej tek ne, tash vjell vrer e helm ndaj partisë që mbeti një ëndërr e pa realizuar e tij. Haki Abazi, derisa drejtonte një fondacion, përmes miqve të mi disa herë bëri përpjekje të më takonte me qëllim që të bëhej pjesë e LDK-së, por asnjëherë s’ia ofrova një rast të tillë”, ka thënë Abazi.

Veliu ka deklaruar se zëvendëkryeministri në detyrë i Qeverisë në largim e ka treguar fytyrën e tij të vërtetë me, siç ka thënë ai, propagandën ndaj LDK-së.

“Njeriu i konspiracioneve, që lakoi emra për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, kurse për vdekjen në burg të Astrit Deharit i bëri përgjegjës aktivistët VV-së, tash i akomoduar pikërisht në VV, po bën avokatin më të zëshëm të tyre, duke akuzuar e shpifur ndaj zyrtarëve të lartë të LDK-së”, ka thënë ai. 

Nënkryetari i LDK-së ka pyetur se kujt i shërben Haki Abazi.

“Haki, me gjithë respektin më të lartë për babin tënd, i cili ishte një veprimtar e aktivist i palodhshëm i viteve ’90-ta, më duhet ta bëj një pyetje: argat i kujt je ti?”, ka shkruar Veliu.

“E dimë se ke bërë turr të marrësh bajrakun të dëshmohesh si më i devotshmi dhe më i zëshmi i ushtrisë propagandistike, por kjo nuk të jep të drejtë të bësh shpifje e fyerje. Përmbahu Haki!”. /Insajderi.com