Agjencitë amerikane bëjnë thirrje të pauzohet përdorimi i vaksinës Johnson & Johnson

Agjencitë amerikane bëjnë thirrje të pauzohet përdorimi i vaksinës Johnson & Johnson

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve bashkë me Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave po rekomandojnë që Shtetet e Bashkuara të ndalojnë përdorimin e vaksinës kundër COVID-19, Johnson & Johnson, pas raportimeve për raste jashtëzakonisht të rralla të mpiksjes së gjakut, transmeton Insajderi.

Sipas një deklarate të përbashkët nga doktor Anne Schuchat, zëvendës drejtori kryesor i CDC-së dhe doktor Peter Marks, drejtori i Qendrës së FDA për Vlerësimin dhe Kërkimin e Biologjikëve, rastet kanë ndodhur mes grave të moshës 18 dhe 48-vjeç, dhe simptomat ndodhën gjashtë deri në 13 ditë pas vaksinimit.

“CDC do të mbledhë një takim të Komitetit Këshillimor për Praktikat e Imunizimit (ACIP) të mërkurën për të shqyrtuar më tej këto raste dhe për të vlerësuar rëndësinë e tyre të mundshme. Derisa të përfundojë ai proces, ne po rekomandojmë një pauzë në përdorimin e kësaj vaksine”, thuhet në raportin e CNN-it.

Gjashtë rastet e raportuara ishin në mesin e  më shumë se 6.8 milion doza të vaksinës Johnson & Johnson të administruara në Shtetet e Bashkuara./Insajderi.com