Ahmeti i reagon Gaxherrit: Ke thënë deficit duke menduar për suficit

Ahmeti i reagon Gaxherrit: Ke thënë deficit duke menduar për suficit

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj një deklarimi publik të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e cila ka thënë se Komuna e Prishtinës ka deficit deri në 90%, njofton Insajderi.

E lidhur me këtë reagim të saj, Ahmeti fillimisht reagimin e tij e ka bërë duke i’a sqaruar terminologjitë ekonomike Gaxherrit, për të cilin ka thënë se ajo pretendon se komuna ka deficit deri në 90%, por ka dashur të thotë suficit.

“Nuk e kam hallin që më kritikojnë e marrin diskutimin për ekonominë si sulm ndaj partisë e qeverisë.  E kam hallin që Znj. Gaxherri për të cilën kam respekt si person, thotë që komuna ka deficit 90 përqind.  Dmth kena shpenzuar më shumë se që kena pas të hyra.  Mendoj se ka dashur me thënë suficit.  Dallim i madh”.

Tutje, Ahmeti ka kritikuar paaftësinë e deputetes dhe deputetëve tjerë për ta bërë dallimin e koncepteve bazë të ekonomisë.

Më pas ai, e ka ftuar Gaxherin të diskutojnë rreth buxhetit, e ku pas këtij takimi, është shprehur Ahmeti, se “ajo do ta kuptojë edhe çfarë  buxheti ka votuar dhe do ta shpjegojë deficitin e Komunës së Prishtinës”.

“Këta deputetë votojnë buxhet. E diskutojnë ekonomi.  E kuptoj që jo çdo deputet është ekonomist (znj deputete është ekonomiste) por një njohuri bazë duhet ta kemi.  E ftoj deputeten në takim nesër në Komunë për të diskutuar për ekonominë e vendit, buxhetet, përfshi edhe buxhetin e Prishtinës.  Besoj se do ta kuptojë më mirë edhe buxhetin e Kosovës të cilin e ka votuar vetë në rishikim. Pa ironi e cinizëm. Mbase ma shpjegon deficitin e Prishtinës.  Dhe unë do të mundohem me ja u shpjeguar 1 miliardë në BQK dhe pse kjo nuk është as e mirë e as e arsyeshme në këtë kohë”./Insajderi.com