Ahmeti kërkon që gjuha shqipe të përdoret edhe për komunikim ndërkombëtar

Ahmeti kërkon që gjuha shqipe të përdoret edhe për komunikim ndërkombëtar

Gjuha shqipe të përdoret në komunikim midis Maqedonisë me vendet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare, ka kërkuar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ai thotë se ligji për përdorimin e gjuhëve që duhet të votohet në Kuvendin e Maqedonisë deri në fund të shtatorit është fryt i kompromisit, por në të ardhmen, pikërisht përdorimi i gjuhës shqipe në përdorim ndërkombëtar është çështja që pritet që të hapet.

“Marrëveshja e Ohrit. Sa i përket gjuhës, për shembull, në komunikimin ndërkombëtar, gjuha shqipe është e diskriminuar. Pse gjuha shqipe të mos konsiderohet e barabartë edhe në kumunikim ndërkombëtar? Pse gjuha shqipe të jetë e ndaluar jashtë kufijve të Maqedonisë?

Këto janë pyetjet të cilat mund të hapen dhe të diskutohet për to”, ka thënë Ahmeti, në një intervistë për portalin post.mk.

Ndryshe, për realizimin e këtyre kërkesave që po i parashtron lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, janë të nevojshme ndryshime kushtetuese, sepse tani për tani, sipas Kushtetutës së Maqedonisë, gjuhë e vetme që mund të përdoret në kumunikim ndërkombëtar është gjuha maqedonase.