Ahmeti: Në 100 ditët e fundit kryeministër shqiptar, në qeveri edhe PDSH-ja

Ahmeti: Në 100 ditët e fundit kryeministër shqiptar, në qeveri edhe PDSH-ja

“Jam shumë i bindur se ky koalicion,  ky partneritet, edhe për katër vjet tjera do të jetë më i suksesshëm, deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit të sotëm me liderin e LSDM-së Zoran Zaev, në të cilin ishte arritur marrëveshje për shumicë parlamentare dhe koalicion qeveritar në republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Insajderi.

“Ideja ishte për afrim, porosi për ndërmarrje të përgjegjësisë nga shqiptarët për shtet të përbashkët. Duhet t’ia pranoj Zaevit për guximin dhe mirëpres se do të ketë kryeministër shqiptar në 100 ditët e fundit të kësaj Qeverie”, tha mes tjerash  Ahmeti, duke shtuar se ideja  ka qenë të afrohen  qytetarët dhe komunitetet, ndërsa jo të ndahen.

“E rëndësishme është që koalicioni i sotëm bazohet në themele të shëndetshme dhe do të kontribuojë  për rrjedhë më të mirë të të gjitha proceseve në shtet. Jam shumë i bindur se  sot bëjmë  punë të mirë  për të gjithë qytetarët tanë”, deklaroi mes tjerash Ahmeti.  

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot bëri të ditur se është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare, formimin e qeverisë së re dhe ndarje të ministrive me BDI-në.

Zaevi gjithashtu theksoi se marrëveshjen e tyre të sotme duhet ta konfirmojnë trupat më të lartë të partisë, sot dhe nesër.

LSDM, shtoi Zaevi, marrëveshjen do ta prezantojë edhe para partive që janë pjesë e koalicionit “Mundemi” si dhe para PDSH-së, si partner i ardhshëm qeveritar./Insajderi.com