Ahmeti: VV mund të refuzojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e Drenasit

Ahmeti: VV mund të refuzojë pjesëmarrjen në zgjedhjet e Drenasit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka komentuar zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Drenasit, ku pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, kjo komunë do të shkoj në zgjedhje me 4 dhjetor.

Ahmeti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e diskuton mundësinë që të mos marrë fare pjesë në këto zgjedhje, ku PDK dhe LDK tashmë kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre.

“Nuk e di saktësisht por është diskutuar mospjesëmarrja fare në zgjedhjet e Drenasit”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka përmendur dy arsye.

E para ka të bëjë me dënimin për krime luftë të ish-kryetarit Nexhat Demaku ndërsa e dyta me mandatin e kryetarit të zgjedhjeve të 4 dhjetorit.

“Përkundër dallimeve politike  me PDK ne jemi kundër dënimit të Nexhat Demakut dhe vëllait të tij, dhe në anën tjetër, mandati i kryetarit të ri, do të jetë deri në qershor dhe në 6 muajt e fundit, kryetari nuk mund të marrë vendime”, ka thënë Ahmeti në “Zona e Debatit”.

Ahmeti ka thënë se VV-ja do të përqendrohet në nivelin qendror./Insajderi.com