“Air Albania”, shtëpia e një finale të madhe evropiane

“Air Albania”, shtëpia e një finale të madhe evropiane

“Air Albania” do presë finalen e madhe evropiane të “Conference League” në vitin 2022. Ky vendim u mor nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i mbledhur sot përmes video-konferencës, njofton Insajderi.

Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që Shqipëria mirëpret një finale evropiane të këtyre përmasave.

Në lidhje me këtë ngjarje, ka reaguar presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

“Tre dhjetor 2020, një tjetër datë historike për futbollin dhe për Shqipërinë. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi t’i besojë FSHF-së organizimin e finales së parë të kompeticionit më të ri evropian ‘UEFA Conference League’ në vitin 2022 në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë”, ishin fjalët e Dukës.

Më tutje, Armand Duka shton: “Kjo është një ngjarje e rëndësishme për futbollin, Tiranën dhe Shqipërinë! Për këtë duhet të ndihemi të gjithë krenarë. Është gjithashtu edhe një dhuratë e çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, që më në fund mund të gëzojnë pas shumë peripecish të kaluara, që nga tërmeti e deri te pandemia Covid-19 që po përjetojmë. Urojmë që ky lajm t’i hapë rrugën lajmeve të tjera pozitive për shqiptarët”, thuhet në një pjesë të reagimit të presidentit të FSHF-së, i cili u tregua i entuziazmuar në lidhje me vendimin e shtëpisë së futbollit evropian, UEFA. /Insajderi.com