AKP dënon me 1 milion e 300 mijë euro kompaninë e deputetit Ramiz Kelmendi

AKP dënon me 1 milion e 300 mijë euro kompaninë e deputetit Ramiz Kelmendi

Kompania e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi “Elkos-Group” është dënuar nga  Agjensia Kosovare e Privatizimit.

AKP e ka dënuar “Elkosin” me gjobë prej 1 milion e 300 mijë euro, shkruan Insajderi.

Mospërmbajtja e kontratës për firmën “Famipa” nga Prizreni ka qenë arsyeja që ka shtyrë AKP-në të marrë këtë vendim.

Vendimi është marrë në mbledhjen e bordit të drejtorëve të AKP-së.

“Bordi mori vendim lidhur me Ndërmarrjen e Re Famipa me të cilin blerësit i janë shqiptuar ndëshkime financiare me mbi 1,300,000 € për mos përmbushje të detyrimeve kontraktuale” thuhet në njoftimin e AKP-së.

Biznesmeni Kelmendi, që tash është deputet i LDK-së, në vitin 2011 bleu nga Agjencia Kosovare e Privatizimit Fabrikën “Famipa” në Prizren, një prej ndërmarrjeve më të njohura në kohën e ish-Jugosllavisë, shkruan Insajderi.

Fabrika “Famipa”, në Prizren kaloi në duart e Kelmendit,  tregtarit të fuqishëm që zotëron edhe ETC-në, zingjirin e madh të marketeve që shtrihet anëmbanë Kosovës dhe në rajon, përkatësisht në Shqipëri e Mal të Zi.

AKP-ja, bazuar në kontratat e privatizimit, ruan të drejtën që të ndëshkojë blerësin financiarisht nëse gjatë këtyre tre vjetëve nuk arrin të përmbushë kontratën.

Bazuar në kontratë, “Elkos Group”-i obligohej që të ruajë aktivitetin prodhues dhe përpunues të metaleve dhe mos t’i çmontojë apo dislokojë nga vendi i tyre pajsijet dhe makineritë së paku në tre vjetët e ardhshëm që nga nënshkrimi i kontratës. /Insajderi.com