AKP-ja i ndan Qeverisë së Kosovës 43 milionë euro

AKP-ja i ndan Qeverisë së Kosovës 43 milionë euro

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës gjatë ditës së sotme.

Në këtë takim Bordi miratoi propozimin për transferim të “Fondeve të Mbetura” të likuidimit prej 2,2 milion EUR në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës si dhe propozimin për transferim të “Fondeve të Përkohshme” të likuidimit prej 41 milion EUR në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës, pra në total 43,2 milionë euro.

“Për më tepër Bordi miratoi propozimin e listës së Shitjes së Aseteve në Likuidim Nr.45 si dhe transakcionet e Shitjes së Aseteve në Likuidim Nr.43A.  Në këtë takim u miratuan edhe Raportet për Përcaktim të Statusit si Ndërmarrje Shoqërore për ‘Studentcani’, ‘Banka e Vojvodinës’ dhe ‘Vijak’,  ku u konstatua se këto ndërmarrje bien në kompetencë të AKP-së. Ndërsa pas shqyrtimit të Raportit për ndërmarrjen ‘Serbia Shume’ u konstatua se kjo ndërmarrje nuk bie në kompetencë të AKP-së”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Në këtë mbledhje Bordi aprovoi edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave në listat e 20% të  punëtorëve të  e NSH “Ereniku-Tregtia”.

Më tej po ashtu thuhet se “bordi shqyrtoi dhe miratoi qiradhëniet e aseteve të ndërmarrjes shoqërore “Jatex” në Administrim Direkt dhe mori gjithashtu disa vendime lidhur me qiradhënie si dhe rritjen e buxhetit të disa ndërmarrjeve shoqërore ne likuidim”.