Aksidenti në Bullgari: Gjendet i pajetë trupi i viktimës së 45-të

Aksidenti në Bullgari: Gjendet i pajetë trupi i viktimës së 45-të

Është gjetur edhe një trup i pajetë gjatë kontrollimit të autobusit me shtetas të Maqedonisë së Veriut, i cili u aksidentua ditë më parë në Bullgari.

Bëhet e ditur se viktima e 45-të është fëmijë.

Informacionin e ka konfirmuar zëvendësi i kryeprokurorit dhe shefi i Shërbimit hetues kombëtar të Bullgarisë, Borisllav Sarafov, njofton BNR.

“Në ora 21:15, në mbrëmjen tragjike nëpërmjet ‘Kapitan Andrevo’ kanë hyrë 52 udhëtarë, prej të cilëve 45 i kemi gjetur në autobus, kurse 7 janë në spitalin ‘Pirogov’”, tha ai.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.

Shumica e udhëtarëve ishin shqiptarë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria.

Ende nuk dihet shkaku i saktë që çoi në aksidentimin e autobusit, megjithatë kompanisë “Besa Trans” i është marrë licenca pasi u vërtetua se nuk e kishte raportuar sipas ligjit autobusin./Insajderi.com