Aksidentoi nënën me dy fëmijë, gjilanasit i caktohet një muaj paraburgim

Aksidentoi nënën me dy fëmijë, gjilanasit i caktohet një muaj paraburgim

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit K.B., i cili dyshohet se ka aksidentuar në zebra një nënë me dy fëmijët e saj, njofton Insajderi.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 21.01.2021, i pandehuri duke mos iu përshtatur rregullave të komunikacioni, në vendkalimin e shenjëzuar për këmbësor ka shkaktuar aksident ndaj të dëmtuarës M. S., e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndaj fëmijëve të saj L. S., dhe A. Sh., të cilat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin të Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Insajderi.com