Mark Ellis

Aktakuza kundër Thaçit e Veselit: Janë takuar mbi 100 dëshmitarë

Aktakuza kundër Thaçit e Veselit: Janë takuar mbi 100 dëshmitarë

Drejtori ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve me seli në Londër, Mark Ellis, thotë se publikimi i aktakuzës kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerëve është bërë pas provave që kanë treguar se ka përpjekje për të ndërhyrë dhe penguar punën e gjykatës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ellis thotë se publikimi i aktakuzës – ende pa u vërtetuar ose refuzuar – ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë.

Ellis gjithashtu ka deklaruar se prokurori është takuar me mbi 100 dëshmitarë në rastin kundër Thaçit e Veselit.

“Mendoj se ka qenë i pritur. E dimë se ky prokuror ka qenë mjaft aktiv në hetimet e tij. E dimë se janë ndoshta mbi 100 dëshmitarë me të cilët është takuar. Po ashtu për faktin se kjo gjykatë, në thelb, shfrytëzohet për të shënjestruar individë të nivelit të lartë, mendoj se ka qenë i pritur”, ka potencuar Ellis.

“Është një zhvillim i rëndësishëm, sepse i drejtohet presidentit aktual të Kosovës, ish-kryeministrit, por, e përsëris, jo i papritur, bazuar në atë që dimë për historinë e konfliktit në ish-Jugosllavi dhe veçanërisht rolin e Thaçit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”./Insajderi.com