Aktakuzë kundër dy personave për tentim vrasje në Gjilan

Aktakuzë kundër dy personave për tentim vrasje në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, E.I. dhe V.I, për vrasje në tentativë.

Sipas njoftimit nga prokuroria, në muajin shtator 2018, i dyshuari E.I., me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin E.Z.

“Në atë mënyrë që i përgatitur me armë dhe sëpatë shkon te shtëpia e të dëmtuarit dhe derisa tenton të shkrepë me armë në drejtim të tij, aty ndërhyn i pandehuri V.I., i cili e pengon këtë veprim, me ç’rast arma shkrepë para këmbëve të të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, E.I., sipas prokurorisë ka kryer dy vepra penale, ‘’Vrasje në tentativë’’, “mbajtje në pronësi të pautorizuar të armëve”, pasi që atij I është gjetur armë zjarri dhe pesë (5) fishek.

Ndërsa i dyshuari tjetër V.I., pas rastit të ndodhur, ka mbajtur në posedim të njëjtën armë në shtëpinë e tij, me çka ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

“Po ashtu, në aktakuzë i është propozuar gjykatës, që të pandehurit E.I, t’i shqiptoj dënim plotësues – konfiskimin e armës dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftim.