Aktakuzë kundër Fatmir Limajt për vrasjen e dy civilëve shqiptarë

“Rasti ka të bëj me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari”, ka njoftuar Prokuroria.

Aktakuzë kundër Fatmir Limajt për vrasjen e dy civilëve shqiptarë

Fatmir Limaj ka hyrë në dekadën e dytë të përballjes me drejtësinë si i akuzuar për krime lufte.

Të premten Prokuroria Speciale e ka akuzuar për përgjegjësi në vrasjen e dy civilëve shqiptarë. Ngarkohen me përgjegjësi penale dhe rol në vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit nga Banja më 2 tetor 1998.

Kjo është aktakuza e tretë kundër tij.

Në dy procese të zhvilluara nga prokurorë e gjyqtarë ndërkombëtarë është shpallur i pafajshëm. Njëherë në Hagë dhe dy herë në Prishtinë.

Në procesin e tretë penal pritet të përballet me prokuror e gjyqtarë vendës. Atë, po e akuzon prokurorja, Drita Hajdari.

Prokuroria ka njoftuar nëpërmjet një komunikate se Limajn po e akuzon për krime lufte kundër popullatës civile.

“Rasti ka të bëj me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari”, ka njoftuar Prokuroria.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UCK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj , i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Ramiz Hoxha, ishte pushkatuar nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 2 tetor 1998. Përgjegjësinë për vrasjen e tij e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së me komunikatën numër 4.

ramiz-hoxha-bellanic-vrasja-745x1024

Po atë ditë ishte pushkatuar nga e njëjta skuadër edhe i riu Selman Binishi. Arsyeja e vrasjes, dyshohet se ka ndodhur për shkak se i ndjeri u kishte thënë ushtarëve të maskuar të UÇK-së, se e dinte se po i njihte se kush janë ata. Skuadra, e kishte futur në bagazh të veturës duke e dërguar në një mal dhe duke e pushkatuar së bashku me Ramiz Hoxhën.

Një letër e shkruar me dorë i ishte lënë Hoxhës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletëekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër”, shkruan në fletëekzekutimin që i ishte lënë në trup Ramiz Hoxhës, më 2 tetor 1998.

Viktima ishte arrestuar në xhaminë e fshatit të tij në Bellanicë nga persona të maskuar dhe me uniforma të UÇK-së. Ishte dërguar në një vend tjetër dhe ishte ekzekutuar.

Pak ditë më vonë ishin arrestuar dy aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Shtabi i Përgjithshëm kishte lëshuar komunikatë për këtë. Konfirmonte vrasjen e Hoxhës dhe Binishit.

“Policia Ushtarake e nënzonës operative të Pashtrikut me datën 30. 10. 1998 ndërmori masën e arrestit ndaj Jakup Kastratit nga fshati Turjakë të Komunës së Malishevës, kryetar i LDK-së, Dega në Malishevë dhe Cenë Deskut, nga fshati Siqevë me vendbanim në Malishevë, nënkryetar i kësaj dege”, shkruan në komunikatën e Shtabit të UÇK-së.

“Në bazë të të dhënave të Shërbimit informativ të UÇK-së të lartpërmendurit kanë propaganduar për dorëzimin e armëve në bashkëpunim me kolaboracionistët, Selman Binishi nga fshati Banjë dhe Ramiz Hoxha nga Bellanica, kohë më parë i ekzekutuar nga UÇK-ja si dhe janë në koordinim të vazhdueshëm me Agim Krasniqin, anëtar i Kryesisë së LDK-së i cili shërbimit informativ të UÇK-së i është i njohur si inspirues i luftës speciale kundër UÇK-së dhe nismëtar i njëfarë policie autonomiste të Kosovës”, thuhet në tej në komunikatën numër 4.

Drejtoria Policisë Ushtarake të UÇK-së thoshte se sektori i hetuesisë, është duke kryer hetime kundër të arrestuarve, Jakup Kastrati dhe Cenë Desku në burgun hetues numër 3.

ramiz-hoxha-bellanic-768x540

Por, Fatmir Limaj, i ka bërë përgjegjës Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Përgjegjësinë ia ka hedhur bazuar në një komunikatë të lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që përbëhej prej këtyre ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së.

“Siç thashë, kur e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm përsipër këtë, unë e kam konsideruar se nuk më takon kjo çështje, s’ka qenë përgjegjësi e imja sepse e dija që ne nuk kishim asnjë lidhje me ta”, kishte thënë Limaj gjatë marrjes në pyetje në pyetje Gjykatën e Hagës në maj të vitit 2005 sa ishte i akuzuar për krime lufte të kryera në Llapushnik.

Komandant Çeliku kishte thënë se viktimat e pushkatuara më 2 tetor 1998 nuk kanë qenë bashkëpunëtor të Serbisë.

Por, i biri i Ramiz Hoxhës, Enveri e ka ngarkuar me përgjegjësi Limajn. Limaj ishte parë pas rrëmbimit të viktimave si dhe pak minuta pas ekzekutimit. Kishte kaluar afër kufomave, i shoqëruar nga një ushtar tjetër. E vetmja gjë që kishin bërë, ka qenë çarmatosja e Ejup Hoxhës, i cili po i ruante kufomat.

“Fatmiri (Limaj v.j.) ka përgjegjësi për vrasjen e babës tem”, ka thënë Enveri, për Insajderin disa javë më parë.

Muaj më parë, Limaj u shpall përfundimisht i pafajshëm për akuzat për krime lufte në Kleçkë. Gjykata e Apelit i ka dhënë fund këtij procesi të gjatë që ka nisur pesë vjet më parë. Limaj dhe të tjerët janë shpallur dy herë të pafajshëm nga shkalla e parë.

Rasti Kleçka kishte shkuar në Apel me ankesën e ish-prokurorit, Maorizio Salustro, pasi për të dytën herë shkalla e parë e kishte shpallur të pafajshëm Arben Krasniqin, Naser Krasniqin, Nexhmi Krasniqin, Behlul Limajn, Fatmir Limajn, Refki Mazrekun, Naser Shalën, Sabit Shalën, Shaban Shalën dhe Besim Shurdhajn.

Limaj akuzohej për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër robërve të luftës. Mes tjerash akuzohej se kishte urdhëruar vrasjen e dy serbëve. Vrasjen e tyre pretendohet se e kishte kryer Agim Zogaj i njohur si dëshmitari “X”.

Zogaj e kishte ngarkuar deputetin Limaj me barrë të rëndë të krimeve të luftës. Disa muaj para nisjes së gjykimit, Zogaj ishte gjetur i varur në një park në Gjermani, ku ishte dërguar nga EULEX-i si dëshmitar i mbrojtur. Pos dëshmive gojore, ai kishte dorëzuar një ditar i cili ishte shpallur si provë e pranueshme nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria kishte thënë në aktakuzë se disa robër të mbajtur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në një burg të kontrolluar në fshatin Kleçkë janë torturuar dhe vrarë. Ekzekutimi i robërve është bërë pa aktgjykim dhe me urdhër të stafit të UCK-së. Janë gjetur trupat e viktimave serbe, ndërsa trupat e viktimave shqiptare të Kosovës nuk janë gjetur.

“Dëshmitari më i rëndësishëm Agim Zogaj ka ardhur vullnetarisht dhe ka rrëfyer tregime të detajuara lidhur me veprat penale që kanë ndodhur në burgun e Kleçkës para se autoritetet hetuese të kenë pasur idenë se çfarë kishte ndodhur atje. Fatkeqësisht Agim Zogaj vdiq para shqyrtimit kryesor, megjithatë ai i kishte dhënë disa deklarata dhe së pjesërisht mbrojtja kishte bërë disa pyetje”, thuhet në ankesën e Prokurorisë kundër aktgjykimit lirues.

Organi i akuzës pretendonte se të gjithë të pandehurit kanë qenë anëtarë të UÇK-së. Fatmir Limaj thotë se ka mbajtur pozitën më të lartë në UCK dhe ai ishte përgjegjës për burgun e improvizuar të UCK-së në fshatin Kleçkë. Kontrolli mbi burgun sipas Prokurorisë ishte nën Fatmir Limajn i cili në fakt ishte shef i Policisë Ushtarake të UÇK-së për atë zonë.

“Fatmir Limaj kishte përgjegjësi të mbikëqyrjes organizative, prandaj ai kishte arsye të dinte se ishin kryer veprat penale. Të burgosurit nuk kanë mundur të largohen nga burgu pa dijeninë e tij. Gjithashtu ekzekutimi i njëpasnjëshëm i të burgosurve tregon se Fatmir Limaj të paktën kishte dështuar për të marrë masat e arsyeshme dhe të duhura për të shmangur veprat penale dhe për të dënuar kryerësit e veprave penale. Veç kësaj ai e kishte urdhëruar Agim Zogajnt që t’i vrasë dy të burgosurit”, pretendonte Prokuroria.

Limaj është shpallur i pafajshëm edhe në Gjykatën e Hagës. Ai është shfajësuar për përgjegjësi të krimeve të kryera në një burg të UÇK-së në fshatin Llapushik. I fajshëm për këto krime ishte shpallur vetëm haradin Bala. Ishte dënuar më 12 vjet heqje lirie.

Limaj, ndërkohë po gjykohet për krime që lidhen me korrupsionin. Akuzohet për krim të organizuar, marrje ryshfeti dhe vepra tjera që supozohet se i ka kryer gjatë kohës sa ka qenë ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit. /Insajderi.com

Ecja e ftohtë e komandant Çelikut afër kufomave

Limaj hedh përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve mbi Shtabin e Përgjithshëm