Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve shtetërorë

Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve shtetërorë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda–Njësia kundër Korrupsionit, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet L.O., dhe L.M., hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, njofton Insajderi.

Të pandehurit janë arrestuar më 5 shkurt 2020, pasi janë zënë në flagrancë gjatë kryerjes së veprave penale. Gjatë arrestimit të pandehurit janë sekuestruar para rreth 15,000.00€, armë dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Pas një hetimi të gjatë, të njëjtit janë arrestuar pasi që kanë shfrytëzuar pozitat e tyre si hetues në DHKEK dhe kanë pranuar ryshfet nga biznese të ndryshme.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cilat u vihen në barrë./Insajderi.com