Aktivistët kërkojnë drejtësi për 11-vjeçarin që u dhunua seksualisht dhe u vra në Fushë Kosovë

Aktivistët kërkojnë drejtësi për 11-vjeçarin që u dhunua seksualisht dhe u vra në Fushë Kosovë

Një vit më parë, 11-vjeçari Kujtim Veseli është dhunuar seksualisht dhe më pas është gjetur I vdekur në Fushë-Kosovë, ndërsa sot lidhur me këtë rast, aktivistët e fushatës “Drejtësi për Kujtimin” kanë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit peticionin me mbi një mijë e 300 nënshkrime të qytetarëve që kërkojnë nga ky institucion dhe nga Policia kërkim-falje publike ndaj familjes së viktimës, njofton Insajderi.

Si pasojë e kësaj ngjarje të ndodhur një vit më parë, shoqata sot po kërkon hetime të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë, përgjegjës për rastin, dhe nga Qeveria e Kosovës po kërkojnë kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e viktimës.

“Sot, më 31 gusht 2020 kemi dorëzuar peticionin Drejtësi për Kujtimin, të nënshkruar nga më shumë se 1300 qytetarë në tri institucione të ndryshme. Ky peticion përmban tri kërkesa: Nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kërkim falje publike ndaj familjes së Kujtim Veselit për shkeljen e së drejtës së tij në jetë dhe neglizhimin e rastit. Nga kryeprokurori i Shtetit dhe Prokuroria e Shtetit inicimin e hetimeve të pavarura penale të prokurorëve dhe zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin, si dhe sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për moskryerjen e detyrës zyrtare dhe shkeljen e statusit të barabartë të shtetasve të Republikës së Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës kompensim për shkelje të të drejtave të njeriut për familjen e Kujtim Veselit”, tha aktivisti Gazmend Qyqalla.

Avokatja e familjes, Rina Kika tha se kanë kërkuar zgjerim të aktakuzës nga prokurorja e rastit, meqë sipas saj, aktakuza e parashtruar ndaj S.O., i përfshinë vetëm veprimet e tij kriminale të datës 11 korrik 2011 dhe jo dhunimin e Kujtim Veselit në janar të vitit të kaluar.

“Ne konsiderojmë se aktakuza duhet patjetër të përfshijë edhe dhunimin e Kujtimit në janar të vitit 2019 dhe se aktakuza pa përfshirjen e kësaj vepre është e mangët dhe nuk e adreson të plotë përgjegjësinë penale të kryesit. Veçimi i veprimeve kriminale të të akuzuarit vetëm për datën 11 korrik 2019 do të çojë një mesazh të gabuar të dhunuesit seksual të fëmijëve, që vetëm nëse e vrasin viktimën do të ndiqen penalisht, përndryshe mund të dhunojnë fëmijë pa u penguar nga askush”, tha ajo.

Ajo tha se në seancën e shqyrtimit gjyqësor për akuzën ndaj S.O., për vrasje të rëndë, që do të mbahet më 9 shtator, do të kërkojnë ta shpallë fajtor dhe ta dënojë të akuzuarin S.O..

11-vjeçari Kujtim Veseli është gjetur i vdekur më 11 korrik 2019 në lagjen “Xhemail Mustafa” në Fushë Kosovë. /Insajderi.com