Aktivizohet edhe artileria e rëndë e Kurtit, drejtuesi i mediumit pro qeveritar godet “armiqtë” e shefit

Aktivizohet edhe artileria e rëndë e Kurtit, drejtuesi i mediumit pro qeveritar godet “armiqtë” e shefit

Situata dramatike rreth raporteve Kosovë-ShBA dhe luhatjet e koalicionit qeverisës kanë vënë në lëvizje Gëzim Mekulin, drejtuesin e një mediumi të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mekuli, drejtues i portalit MekuliPress, është lajmëruar të martën, në ditën kur Donald Trump Junior, i biri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kërkuar tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova.

Në një “ofenzivë” në Facebook, Mekuli ka sulmuar gazetarët dhe mediat kosovare për llogari të shefit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit.

“Është duke u zhvilluar një propagandë e fuqishme mediatike kundër Qeverisë Kurti.  Kjo propagandë po zhvillohet nga PDK, AAK, krahu i Isa Mustafës, TANJUGut dhe nga ithtarët e copëtimit të Kosovës”, ka thënë Mekuli.

Ai ka thënë se “ky manipulim i mediave dhe i gazetarëve, që ishin në shërbim të pushteteve të korruptuara, mundë të quhet me një emër të përbashkët ‘Bashkmi i mediave të korruptuara’ në tentim të Grusht shtet kundër Qeverisë së pakorruptuar Kurti”.

Të martën, senatori amerikan, David Perdue, tha se SHBA-ja do të duhej ta rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë.

Sipas tij, “nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, SHBA-ja ta rishqyrtojë praninë e saj atje”. /Insajderi.com