Akuza e reagime midis PDK-së e VV-së për inspektorin e arrestuar për ryshfet

Akuza e reagime midis PDK-së e VV-së për inspektorin e arrestuar për ryshfet

Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Prishtinë, kanë mbajtur një aktivitet lidhur me rastin e korruptimit të inspektorit të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, për çka akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se është anëtarë i kësaj partie, gjë që ka shkaktuar reagime edhe nga ana e Lëvizjes, njofton Insajderi.

Ky aktivitet me parullën “8 vjet Vetëvendosjes në Prishtinë, respekt askujt, ryshfet gjithkujt”, është mbajtur në Lagjen Arbëria, afër zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje.

Vivjanit Fejza kryetar i rinisë së PDK-së, tha se përmes këtij aktiviteti duan t’i tregojnë popullit për ryshfetin që ka marrë VV prej 12 mijë eurosh.

“Ne kemi dalë për t’iu treguar të gjithë qytetarëve të Kosovës se për 8 vet qeverisje të VV e cila ka funksionuar vetëm në bazë të kësaj fotoje. Respekt askujt ryshfet gjithkujt. Vetëm nëse i ki 12 mijë euro atëherë mundesh me luftuar me ta. Ata thonin se duhet me luftuar korrupsionin ndërsa sot janë mbushur korrupsion deri në fyt, por ne nuk do ti lejojmë”, tha ai.

Ndërsa, asamblisti i PDK-së Leutrim Retkoceri tha se përveç 12 mijë eurove ta marra nga VV  nuk e dinë edhe për tetë vjetët tjera se sa ka marrë.

“Me korrupsion nga inspektori i komunës që është anëtar i Vetëvendosjes, kjo tregon më së miri se 12 mijë euro kësaj here janë zënë tu u marr dhe ne nuk e dimë sa ryshfet ka marrë edhe 8 vjet tjera që gjatë krejt kohës ka moralizuar. Ne këtë çështje e kemi ngritur në seancën për buxhetin dhe kemi thënë se a do të përfshihen pagat e këtij zyrtari në buxhetin e vitit 2021, por s’kemi marrë përgjigje”, tha ai.

Për këto deklarata të rinisë së PDK-së, ka reaguar zëdhënësi për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, i cili me në një sqarim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se ky inspektor nuk është anëtar i LVV-së prej vitesh.

Ai tutje tha se nuk mundet një subjekt si PDK të flet për ryshfetin, edhe po që se ky inspektor të ishte anëtar i VV-së.

“2. Kur ishte LV në Prishtinë jo vetëm të LV-së por askush nuk bënte korrupsion. 3. Ai aktualisht është punëtor i Komunës, atje është adresa”.

“4. PDK dëshiron që edhe një anëtar që s’është anëtar ta shndërrojë në fenomen të partisë”.

“5. Edhe po të ishte anëtar i LV-së, nuk mundet një subjekt autor i PRONTO AFERËS e kapjes së shtetit të na tregojë mbi ryshfetin”, ka shkruar Manxhuka. /Insajderi.com