Akuzat dhe lutja e Haradinajt ndaj opozitës

Akuzat dhe lutja e Haradinajt ndaj opozitës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar opozitën për mos-pjesëmarrjen në seancën e Kuvendit ku do të votohet ekipi i qeverisë për dialogun me Serbinë.

Duke folur për ruajtjen e territorit dhe korrigjimin e kufijve, Haradinaj ka thënë se askush më shumë se ai nuk e ka mbrojtur territorin.

Kryeministri e ka konfirmuar që as deputetët e pozitës nuk do të marrin pjesë në seancën tjetër, ku do të kundërshtohet korrigjimi i kufijve, raporton Insajderi.com.

“Si me marrë pjesë qeveria në seancën e opozitës, e opozita nuk merr pjesë në seancën e qeverisë. Mungesa e kuorumit është mos-aftësi me ecë në këtë temë”, ka thënë i pari i qeverisë.

Ai  nuk është përgjigjur direkt kur është pyetur nga gazetarët nëse thirrja e seancës nga ora 09:00 kishte synim ta prishte seancën e opozitës.

Por vetëm e ka lutur opozitën ta marrë “hisen” në dialog.

“Unë e kam dërguar në Parlament disa herë këtë temë. E kanë kundërshtuar platformën e tash po i kundërshtojnë edhe emrat. Votone delegacionin. Ne po u japim mundësi me marrë hisen e vet”, theksoi Haradinaj.

Deri më tani seancën e Kuvendit ende nuk ka filluar, kurse në sallë janë vetëm deputetët e partive në pushtet. /Insajderi.com