Akuzat e Berishës: Në listën e zezë më futën Soros, Vuçiç, Rama e Thaçi

Akuzat e Berishës: Në listën e zezë më futën Soros, Vuçiç, Rama e Thaçi

Ish-kryeministri shqiptar, Sali Berisha, është shpallur persona non-grata (person i padëshirueshëm) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bashkë me familjen e ngushtë e ka të ndaluar Amerikën.

Por, Berisha thotë se për futjen e tij në listë të zezë nuk i ka fajet ai. Por, kundërshtarët e tij.

“George Soros, Vuçiç dhe argatët e këtij të fundit Rama, Thaçi kishin lobuar fort dhe përgatitur blaclikstimin tim ‘për konspiracion ndaj politikës së jashtme të SHBA’”, shkruan Berisha në Facebook.

Sipas tij, e gjitha ndodhi se ai u vu “në mbrojtje të interesit kombëtar”.

Specifikisht me interesin kombëtar, Berisha nënkupton kundërshtimin “e ‘shkëmbimit’ të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, de facto shpërbërjen e Kosovës dhe ndarjen e saj midis Shqipërisë dhe Serbisë”.

Por, Berisha beson se një vendim i ditëve të fundit i presidentit Joe Biden po rikthen në pah të vërtetën e tij.

“Dy ditë më parë, me urdhrin e tij ekzekutiv Presidenti Biden shpalli sanksione për ata që do promovojnë këtë projekt destabilizues! E përshëndes këtë vendim! E vërteta vonon, por mbijeton, nuk vdes”.

Bashkë me tekstin Berisha ka shpërndarë një video të Edi Ramës duke folur në parlament, në vitin 2019, kur Rama i thoshte “Sali me dash ti mund ta kapërcesh oqeanin?”.

Duke lënë të kuptohej se Berisha ka probleme me amerikanët.