Akuzat për amnistinë e krimeve të luftës, Zyra e Presidentit ka një kërkesë për Shqipërinë

Akuzat për amnistinë e krimeve të luftës, Zyra e Presidentit ka një kërkesë për Shqipërinë

Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit ka reaguar ndaj akuzave të ish’ministrit të Punëve të Jashtme, të Shqipërisë, Ditmir Bushatit, për amnistinë e krimeve të luftës. Nga presidenca kanë kërkuar nga Shqipëria që të bëjnë thirrje për hetim të krimeve të luftës në Kosovë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati e ka cilësuar si të papranueshme deklaratën për amnisti të krimeve të luftës.

Përmes një shkrimi në Twitter, Bushati ka thënë se nuk duhet të ketë hapësirë për politika të tilla, e këto deklarata i ka quajtur të turpshme.

Ai ka thënë se krimet e luftës nuk janë falshme, por, të dënueshme.

“Nuk duhet të ketë hapësirë për politikë të revizionizmit, pavarësisht nga vijnë këto deklarata të turpshme. Krimet e luftës nuk janë të falshme, por të dënueshme. Vetëm drejtësia mund të sjellë paqen dhe pajtimin e nevojshëm midis Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Bushati.

Këshilltari i presidentit, Artan Behrami ka shkruar se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë.

Mirëpo, ai i ka thënë Bushatit se Shqipëria ka instrumente për t’i bërë thirrje Këshillit të Evropës për krimet e luftës, e që t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që t’i hetojë ato.

“Drejtësia ndërkombëtare ka dështuar në Kosovë. Pa dyshim. Shqipëria kishte dhe ka instrumente që t’i bëj thirrje Këshillit të Evropës për krimet e luftës në Kosovë dhe t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme të KB të hetojë dështimin e ICTY. Kjo duhet të ketë qenë prioritet për vite, e prapë mund të bëhet”, ka shkruar Behrami.

Këshilltari i presidentit thotë se Bushati njeh më mirë se kushdo politikën dhe historinë e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara.

Nga ai ka kërkuar që të merr drejtimin e të kërkojë hetim të krimeve.

I njëjti ka shtuar se Kosova do ta mbështeste, duke thënë se nuk do të ketë amnisti, por, drejtësi.

“Ditmir Bushati njeh më mirë se kushdo, historinë dhe politikën e Këshillit të Evropës dhe Kombeve të Bashkuara. Ai do të bënte një punë të shkëlqyeshme duke marrë drejtimin dhe t’i kërkonte Këshillit të Evropës që të hetonte krimet e luftës në Kosovë. Kosova do të mbështeste. Asnjëherë amnisti. Por kërkimi i drejtësisë. Me të gjitha mjetet”, ka shkruar ai.