Albin Kurti i gëzohet dorëheqjes së Ramush Haradinajt: E kishte si biçikletë hua nga PDK-ja

Albin Kurti i gëzohet dorëheqjes së Ramush Haradinajt: E kishte si biçikletë hua nga PDK-ja

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes i është gëzuar dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Ai ka thënë se Haradinaj është dashur të japë moti dorëheqje.

Fillimisht e ka cilësuar dorëheqje të vonuar por me arsyeje të gabuara. Ka numëruar disa prej arsyejeve që sipas tij ishte dashur moti të dorëhiqet.

“Dorëheqje e vonuar me arsye të gabuar Z.Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit. Moti është dashur të japë dorëheqje. Psh. kur e ndërroi qëndrimin për demarkacionin me Malin e Zi, kur ia rriti pagën vetvetes, kur emëronte nëpër borde e menaxhmente ndërmarrjesh me mbiemra familjesh e librezë partie, kur me 13 dhjetor 2018 e dha propozimin për marrëveshje “Ahtisaari Plus” me Serbinë, kur e paloi e rrafshoi buxhetin me asfalt, kur e kërcënoi prokurorin Blakaj, kur delegacioni për bisedime me Serbinë i doli anti-kushtetues etj.etj”, ka shkruar ai.

“Së fundi e pa që mocionin e mosbesimit të opozitës do ta votonin edhe disa prej deputetëve që e kishin mbështetur fillimisht. E kuptoi atë që ia kishim thënë dikur: kryeministrinë e ka pasur si biçikletë hua nga PDK-ja për të bërë ndonjë xhiro…”, ka shkruar ai.

Më tutje ai ka thënë se VV është kundër Gjykatës Speciale, sipas tij Kosova ka nevojë për gjykatë normale kundër krimit të korrupsionit.

“Ne ishim e jemi kundër Gjykatës Speciale. Kemi nevojë për gjykata normale kundër krimit e korrupsionit në paqe dhe jo për edhe një gjykatë speciale kundër kinse krimeve të luftës së UÇK-së. Ata që e votuan, e vunë veten e tyre dhe gjithë Kosovën nën shantazhin e interesave gjeopolitike jashtë kontrollit tonë”.

“Për drejtësi të vërtetë, zhvillim të qëndrueshëm, progres shoqëror, demokraci institucionale, menjëherë nevojiten zgjedhje të reja parlamentare. Duhet të flasë populli, të cilin aq shumë e shtypën dhe e zhvatën”, ka deklaruar ai./Insajderi.com