Albin Kurti kujton Xhemajl Mustafën për herë të parë

Albin Kurti kujton Xhemajl Mustafën për herë të parë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, në kohën kur kanë filluar koalicionet mes partive politike dhe kur ai ka zhvilluar disa takime me Isa Mustafën, ka kujtuar ish- anëtarin e LDK-së Xhemajl Mustafa në ditlindjen e tij të 66-të.

Kjo është hera e parë që Kurti e kujton Mustafën, këtë nuk e kishte bërë as në përvjetorët e vrasjes së tij. Kurti deri tash nuk e ka vizituar as varrin e Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, ndërkohë që njerëz të LDK-së ia kanë vënë si kusht për koalicion, homazhet pran varrit të Rugovës.

Sot Kurti përmes një statusi në Facebook thotë se ende askush nuk u gjykua e dënua për vrasjen e Mustafës. Kryetari i Vetëvendosjes thotë se Mustafën e mban mend si burrë të mirë, të qetë e të kredhur në mendime.

“Sot Xhemajl Mustafa e ka ditëlindjen. Po të ishte gjallë do t’i kishte mbushur 66 vjet. Një vit e gjysmë pas luftës e kanë vrarë mizorisht para banesës së tij në lagjen ‘Dardania’. Askush nuk u gjykua e dënua për këtë krim. E kam takuar disa herë në fundvitet e ’90-a. Gjithmonë i dashur dhe i qetë, përherë i kredhur në mendime dhe i prajshëm në komunikim. Burrë i mirë, siç themi ne shqiptarët. Në vijim është një poezi e Xhemajl Mustafës për Adem Demaçin e shkruar në vitin 1972”, shkruan ai.