Albin Kurti takohet me fituesin e çmimit Nobel

Albin Kurti takohet me fituesin e çmimit Nobel

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në zyret e partisë së tij laureatin e çmimit Nobel për paqe në vitin 2018, Denis Mukwege.

Përveç Kurtit, në këtë takim ishin të pranishëm edhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, drejtoresha e QKRMT’së, Feride Rushiti, Shyrete Tahiri Sulimani, Drejtoresha e Mukwege Foundation, Esther Dingeman, Dalal Ali Khairo dhe Mer Ayang.

Në këtë takim u bisedua për rëndësinë e trajtimit të krimeve të luftës, për gjykimin e kriminelëve që enden të lirë dhe për drejtësinë që do të sillte paqe në zemrat e viktimave.

“Kryetari Kurti i njoftoi ata me nismat e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë drejtim, mbledhjen dhe dorëzimin e dëshmive për kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë, si dhe për nismat që kanë shpjer në formimin e Prokurorisë Speciale për hetimin e krimeve të luftës, dhe ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. 20 vite jemi vonë, andaj duhet të bëjmë çmos si shtet që t’i përshpejtojmë hetimet për rastet e tilla, e të sjellim drejtësi për gjithë ata që ende i vuajnë pasojat e krimeve”, thuhet tutje në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje shtohet se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen më me prioritet nga Gjykata Speciale dhe nuk duhet të ketë vonesë në vënien e drejtësisë.

Ndryshe, Denis Mukwege në vitin 2018, për përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës seksuale si armë lufte, Komiteti Norvegjez i Nobelit e shpalli fitues të çmimit Nobel për paqe.

Ai dje vizitoi Drenasin ku së bashku me Vasfije Krasniqin takuan viktimat seksuale të luftës si dhe premtuan mbështetje që të vihet në vend drejtësia për to.