Albin Kurti sot në Bruksel

Albin Kurti sot në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë sot për në Bruksel për vizitën e dytë të tij në kryeqendrën evropiane që kur mori postin e kreut të ekzekutivit.

Të hënën në Kuvendin e Kosovës, i pari në Qeveri, deklaroi se “nuk do të ketë dialog me Serbinë, por takim tradicional i liderëve të Ballkanit Perëndimor”.

“Darka nesër mbrëma në Bruksel nuk është dialog me Serbinë, por është darkë tradicionale e liderëve të Ballkanit Perëndimor gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që shtrohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që njëherazi është edhe zëvendës president i Komisionit Evropian, Borrel”, ka thënë Kurti.

Pikërisht, Josep Borrell, deklaroi se “Kurti i ka kërkuar kohë për t’u përgatitur rreth dialogut”.

Qershori është përmendur si muaj potencial ku në tryezën e Brukselit do të përballeshin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, në një përpjekje për t’u arritur një zgjidhje.

Albin Kurti dialogun se ka përmendur asnjëherë si “prioritet kryesor”, drejtësia, punësimi e menaxhimi i pandemisë, thoshte se përbëjnë thelbin kryesor të qeverisjes së tij – duke ia shtuar dialogun më pas.

Ndërkohë eksponentë të bashkësisë ndërkombëtare po kërkojnë që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi, përmes të cilës synohet stabilizimi i Ballkanit Perëndimor.

Çdo ku po përmendet një mundësi e tillë – po publikohen e po komentohen edhe “non-papers” që japin propozime për gjetjen e formulës së zgjidhjes së problemit ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Kurti në Kuvend potencoi edhe njëherë se “nuk flasin me Serbinë për çështjet territoriale”.

Por, akuzoi opozitën “për trashëgiminë që i lanë pas”, sa i përket dialogut me Serbinë. /Insajderi.com