Albulena Haxhiu e Xhafer Tahiri përplasen në ‘Facebook’ rreth një prone në Vushtrri

Albulena Haxhiu e Xhafer Tahiri përplasen në ‘Facebook’ rreth një prone në Vushtrri

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, janë përplasur të shtunën, në rrjetin social Facebook, lidhur me punimet e një kompanie në pronën “Vicianium” në komunën që udhëheq Tahiri, njofton Insajderi.

Haxhiu pretendon se kompania, të cilës MD-ja ia kishte ndërprerë kontratën ditë më parë për shkak se “ishte nënshkruar kundërligjshëm”, ka rifilluar punimet duke mos respektuar vendimin e ministrisë.

Sipas saj, Tahiri “ka refuzuar që të ndërmarrë veprime në mbrojtjen e pronës publike”.

“Policia nuk ka mundur të veprojë sepse z.Tahiri nuk ka lejuar inspektoriatin të shkojë në vendin e ngjarjes me arsyetimin se ‘ne i kemi dhënë leje kompanisë’, duke injoruar kështu Vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për shkëputje të kontratës i cili është mbi çfarëdo vendimi tjetër të Komunës”, ka shkruar në llogarinë e saj në Facebook, ministrja Haxhiu, si reagim ndaj Tahirit i cili tha se prona është në pronësi të MD-së dhe e njëjta duhet t’i kthehet Komunës së Vushtrrisë.

“Ju vet keni refuzuar të ja ktheni pronën e ish Motel Vicianum Komunës së Vushtrrisë, njësoj si në mandatin tuaj të parë. Prandaj ktheja pronën Komunës së Vushtrrisë që të bëjmë Stacionin e Autobusve”, ka shkruar Tahiri.

Ai i ka kërkuar Haxhiut të mos i ushtrojë “presion publik e përmes telefonit, për të zgjedhur problemet juridike të Ministrisë që vet i keni krijuar, problemet tuaja zgjidhni vet!”.

E këto deklarata, ministrja e Drejtësisë i ka quajtur shpifje.

“Shpifjet e Xhafer Tahirit se kinse unë paskam refuzuar që pronën t’ia jap Komunës, shtojnë dyshimet që mosveprimi i tij është i qëllimshëm. Unë nuk kam mundur të ndërmarrë asnjë veprim sepse rasti është duke u trajtuar nga Gjykata. I bëj thirrje edhe njëherë që të mbrojë pronën publike dhe jo interesin privat!”, thuhet tutje në reagimin e saj./Insajderi.com