Allegri e Buffon optimistë para finales

Allegri e Buffon optimistë para finales

Në konferencën e parë për shtyp nga Kardifi, trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri u shpreh optimist se skuadra që ai drejton do të dalë fituese nga përballja me Realin e Zidane.

“Kemi punuar gjithë vitin për të luajtur këtë ndeshje. Nesër do ta luajmë me qetësi. Sigurisht që nuk do të jetë e thjeshtë, por jam i bindur që nesër këta djem do të marrin trofeun që meritojnë”, tha Allegri.

Megjithatë, favorit edhe vetë Allegri sheh Realin. “Reali është favoriti se është edhe kampioni në fuqi. Megjithatë, ne do të bëjmë lojën tonë dhe do të përpiqemi t’i vendosim në vështirësi duke qenë djallëzorë dhe të pamëshirshëm për të goditur në momentin kur Reali do të lëshojë”, thotë ai.

Lidhur me formacioni, Allegri tha se nuk ka vendosur ende. “Duhet të mendojmë edhe për zëvendësimet sepse ndeshja mund të shkojë në 120 minuta. Sigurisht, nëse duam të mos shkojë kështu, atëherë duhet ta nisim me vrull dhe të godasim, përndryshe zëvendësimet dhe rezervat do të përcaktojnë fatin e ndeshjes”, u shpreh ai.

“Arma sekrete” e kampionëve të Italisë duket se është Dani Alves dhe këtë e konfirmoi edhe kapiteni Buffon.

“Që kur erdhi e pyeta Danin që të na ndihmojë të fitojmë Ligën e Kampionëve. Na ka mësuar shumë. Këtë herë nuk duhet të gabojmë, mjaft kemi gabuar. Duhet ta marrim atë kupë”, tha Buffon.

Dani Alves u tregua i zakonshmi. “Boll na pyetët. Unë dhe Gigi jemi shumë mirë, boll na quajtët pleq”, tha ai.