Amazon kufizon operacionet e biznesit në Kinë

Kompania Amazon thotë se po kufizon operacionet e biznesit në Kinë, tregu më i madh i shitjes me pakicë në botë, pasi konkurroi kundër disa lojtarëve vendas më të mirë, që kanë një klientelë besnike për më shumë se një dekadë.

Amazon kufizon operacionet e biznesit në Kinë

Kompania njoftoi kohët e fundit se duke filluar nga 18 korriku, ajo nuk do të ofrojë më shërbime përmes faqes së saj kineze, Amazon.cn. Vendimi do të thotë se Amazoni do të ndalojë shitjen e mallrave nga prodhuesit vendorë në Kinë tek konsumatorët vendas në portalin e saj. Megjithëse po shkëputet nga biznesi elektronik i shitjeve me pakicë në Kinë, Amazoni do të vazhdojë me biznesin e saj ndërkufitar, duke sjellë mallra dhe firma të huaja në Kinë, tha kompania.

Njoftimi ka ngritur pikëpyetje rreth pranisë jashtëzakonisht të dobët të kompanive të huaja në bizneset e lidhura me internetin në Kinë, ndërkohë që kompanitë kineze si Alibaba krijojnë hapësira tregu për ta në mbarë botën.

Pjesa e tregut të Amazonit në Kinë ka rënë nga rreth 15 për qind një dekadë më herët në rreth 6 për qind. Alibaba dhe një kompani tjetër kineze, jd.com, zotërojnë gati 75 për qind të tregut kinez. Dyqani i blerjeve në internet eBay më parë u largua nga Kina, pasi nuk mund të arrinte të bënte fitim.

Kina është konsideruar nga shumë ekspertë si një treg i vështirë për kompanitë e huaja edhe pa marrë parasysh pengesat e shkaktuara nga politikat qeveritare. Në rastin e Amazonit, megjithatë, analistët thanë se arsyet për performancën e tij të dobët qëndrojnë në paaftësinë për të qenë prezent në përmbushjen e kërkesave të tregut.