Ambasada britanike mirëpret vendimin e Thaçit për mandatimin e Kurtit për kryeministër

Ambasada britanike mirëpret vendimin e Thaçit për mandatimin e Kurtit për kryeministër

Ambasada britanike në Prishtinë ka thënë se ka mirëpritur vendimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të emëruar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, për formim të qeverisë së re.

Përmes një postimi në Facebook, kjo ambasadë thotë se votuesit kanë pritur tre muaj për këtë moment, duke shtuar se shpresa dhe dëshira për të ndryshuar duhet të respektohet.

“Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa e tyre dhe dëshira për të ndryshuar, e shprehur aq qartë më 6 tetor, duhet të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë kurajo dhe kreativitet në formimin e qeverisë që reflekton dëshirën e elektoratit”, është thënë mes tjerash në deklaratën e kësaj ambasade.

Përveç tjerash aty është bërë thirrje edhe për përshpejtim të negociatave për formim të qeverisë, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdojnë të mos kenë marrëveshje për qeverisje eventuale të Kosovës.

Kujtojmë se deri tani liderët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa janë takuar disa herë për të arritur marrëveshjen për koalicion, por takimet kanë rezultuar të pasuksesshme.  /Insajderi