Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Gjatë pandemisë janë rritur rastet e dhunës

Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Gjatë pandemisë janë rritur rastet e dhunës

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë njofton se nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, del se gjatë pandemisë COVID-19, në Kosovë janë rritur për 17 për qind rastet e dhunës në baza gjinore, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Twitter, ambasada amerikane ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e rasteve të rritura është në zonat urbane.

“Gjatë pandemisë COVID-19, Ministria e Drejtësisë ka parë një rritje prej 17 për qind të rasteve të raportuara të dhunës në baza gjinore në Kosovë, ku pjesa më e madhe e rasteve të rritura është në zonat urbane. Çdo grua, çdo vajzë, çdo person meriton një jetë pa dhunë”, tha ambasada e SHBA-së.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, ambasada amerikane i bëri thirrje qeverisë dhe shoqërisë civile, që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur viktimat e dhunës.

“Sot në Ditën Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës ndaj Grave, ju bëjmë thirrje të gjithë parnerëve në qeveri, në sektorin privat dhe në shoqërinë civile që të ndërmarrin veprime për të mbrojtur më të prekurit dhe për të hetuar dhe gjykuar të gjitha incidentet”, thuhet në reagimin e ambasadës. /Insajderi.com