Ambasada e SHBA-ve në Ankara rifillon dhënien e vizave

Ambasada e SHBA-ve në Ankara rifillon dhënien e vizave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) na Ankara, njoftoi të premten se ka rifilluar dhënien e vizave, raporton Anadolu Agency (AA).

“Misioni i SHBA-ve në Turqi ka filluar me kapacitet të plotë dhënien e vizave për jo-migrantët. Nga tani e tutje në dispozicion do të jenë caktimet e afateve”, thuhet në faqen e internetit të ambasadës, ku sqarohet se caktimi mund të bëhet në ambasadën në Ankara dhe në konsullatën e Përgjithshme në Stamboll.

Të enjten, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se shërbimet e dhënies së vizave tashmë janë rikthyer në normalitet.

Pezullimi i vizave nga SHBA-të erdhi pasi autoritetet turke më 4 tetor shqiptuan masë arresti me paraburgim për Metin Topuz, punonjës i Konsullatës së Përgjithshme të SHBA-ve në Stamboll, i arrestuar më 25 shtator për lidhje me organizatën terroriste FETO.

Paraburgimi për punonjësin e konsullatës u caktua në kuadër të hetimeve ndaj FETO-s, pasi për të dyshuarin ishte zbuluar se ka pasur kontakte me disa të dyshuar të FETO-s, përfshirë edhe ish-prokurorin e arratisur të FETO-s, Zekeriya Öz, dhe ish-drejtorët policorë Yakup Saygılı, Nazmi Ardıç, Mahir Çakallı dhe Mehmet Akif Üner, ndaj të cilëve është hapur procedim gjyqësor.

Pas arrestimit të të dyshuarit Topuz më 25 shtator, kishte pasuar reagimi i SHBA-ve. Në përgjigje të këtij reagimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë kishte njoftuar se “I privuari nga liria nuk është në listën zyrtare të stafit të konsullatës amerikane dhe se nuk ka asnjë imunitet diplomatik apo konsullor”. Pezullimi i vizave nga SHBA-të u pasua me kundërpërgjigje të njëjtë edhe nga Ankaraja.