Ambasadori britanik takon Kryeshefin Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës

Ambasadori britanik takon Kryeshefin Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka pritur në një takim Kryeshefin Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Gent Begollin, me të cilin kanë diskutuar për ecurinë e hapave të ndërrmarrë për rivitalizimin e ndërmarrjeve publike dhe veçanërisht për rimëkëmbjen biznesore dhe teknologjike të Telekomit të Kosovës.

Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës ka informuar ambasadorin britanik për masat dhe strategjinë e re të kompanisë që ai drejton, në drejtim të promovimit të produkteve të reja, gjetjes së mundësive të bashkëpunimit me investitorë ndërkombëtarë si dhe avancimin e ideve kreative për të tejkaluar vështirësitë me të cilët aktualisht ballafaqohet tregu i operatorëve të komunikimeve elektronike në Kosovë.

Duke e falënderuar ambasadorin britanik, Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës theksoi nevojën e konsolidimit të sektorit ekonomik në vend, me theks të veçantë orientimin e investimeve të duhura në sektorin publik që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e përgjithshme ekonomike të vendit.

“Përkrahjet si këto për punën që kemi nisur ta bëjmë në Telekom, përkundër sfidave që kemi dhe që na presin, përbën një motiv shtesë për të ndryshuar gjendjen aktuale në Telekom dhe për të ofruar një gamë të larmishme produktesh dhe shërbimesh për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.

Në këtë takim u tha poashtu se zhvillimi dhe forcimi i ndërmarrjeve të mëdha, siç është Telekomi i Kosovës, është në të njëjtën kohë edhe forcim dhe mirëqenie ekonomike dhe sociale për tërë ekonominë e Kosovës.