Ekonomia

Amerika fillon të merret konkretisht me çështjet ekonomike Kosovë-Serbi

Vazhdimisht, Richard Grenell, emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi ka deklaruar se SHBA-ja e ka prioritet çështjen e ekonomisë dhe punësimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Amerika fillon të merret konkretisht me çështjet ekonomike Kosovë-Serbi

“Marrëveshje e 4 shtatorit në Uashington do të fillojë të jetësohet”, ky ishte thelbi i deklaratës së Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike Amerikane në Serbi.

Dy odat ekonomike të SHBA-ve në Kosovë e Serbi, mbajtën një takim virtual për të diskutuar “fuqizimin e bashkëpunimit për përpjekjet e përbashkëta në zbatim të marrëveshjes së Uashingtonit”, njofton Insajderi.

“Në vijim të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi normalizimin ekonomik, të nënshkruar në Uashington më 4 shtator, udhëheqësit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Odës Ekonomike Amerikane në Serbi mbajtën një takim virtual për të diskutuar fuqizimin e bashkëpunimit dhe përpjekjet e përbashkëta për të përkrahur zbatimin e aspekteve ekonomike të marrëveshjes së nënshkruar”, thuhet në komunikatë.

Në deklaratë është përmendur edhe Mini-Schengeni që ka qenë njëra ndër pikat për të cilat janë pajtuar Kosova dhe Serbia.

“Të dyja Odat Amerikane do të punojnë së bashku për të konsultuar anëtarësitë për të identifikuar barrierat e pazgjidhura në tregti dhe për të ofruar rekomandimet konkrete për zgjidhjen e tyre, si dhe për të sugjeruar masat për operacionalizimin e rajonit “mini-Schengen”. Po ashtu, të dyja Odat Amerikane janë dakorduar të promovojnë bashkërisht para kompanive amerikane mundësitë e investimeve në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratë. /Insajderi.com