Amerika Kosovës plus, Serbisë minus

Amerika Kosovës plus, Serbisë minus

Administrata e Presidentit amerikan, Joseph Biden, e ka mirëpritur mbështetjen e Kosovës dhe gatishmërinë që tregoi ajo për të pritur civilë afganë, teksa nuk e shikon pozitivisht vendimin e Serbisë për të mos nënshkruan deklaratën për largimin paqësor nga Afganistani, të inicuar nga Departamenti i Shtetit dhe për këtë arsye, autoritetet serbe do të “shënohen me një minus simbolik”.

Kështu thonë burime nga qarqet diplomatike nga Perëndimi për mediumin serb “Danas”. Ky burim thotë se edhe pse ky vendim i Serbisë nuk u vlerësua pozitivisht nga Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet bilaterale nuk do të thotë se do të dëmtohen në praktikë, posaqërisht lidhjet ekonomike apo bashkëpunimi ushtarak.

I njëjti burim thotë që edhe pse Kosova nënshkroi këtë nismë të DASH – gjë që pritej, për disa qarqe me ndikim në Uashington, do të ishte shumë më e rëndësishme që Kurti të pajtohej me përfshirjen e Kosovës në projektin “Ballkani i Hapur”, në mënyrë që të afrohen përpjekjet rajonale për bashkëpunim ekonomik.

Tutje raportohet se duke komentuar mënyrën se si reagojnë autoritetet në Beograd dhe Prishtinë ndaj nismës së Uashingtonit në lidhje me krizën aktuale në Afganistan, Miodrag Miki Marinkoviq, drejtor i Qendrës për Veprime Sociale Afirmative në Mitrovicën Kosovare, thotë se “pavarësisht nëse reagimi i Prishtinës ndaj krizës në Afganistan parë si oportunizëm, servilizëm ndaj fuqisë më të fortë në botë ose mirënjohje për atë që kanë bërë për ta deri më tani, nuk ka dyshim se shqiptarët shfrytëzuan rastin për të treguar veten në këtë situatë si aleatë në të cilët Uashingtoni mund të mbështetet”.

Sipas Marinkoviq, përfitimet e shqiptarëve sa i përket këtij qëndrimi janë të shumëfishta, ndër to thotë se kjo lëvizje kontribuon me qëllim që marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së të përmirësohen, pasi “u dëmtuan gjatë administratës Trump”.

“Me çdo kusht, Kosova dëshiron të inkurajojë Shtetet e Bashkuara që të përfshihen më shumë në negociatat për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse midis Beogradit dhe Prishtinës, sepse ata vlerësojnë se BE nuk ka forcën për të vërtetuar pozicionin e tyre në negociata, që do të thotë refuzojnë parimin e kompromisit. Së dyti, Prishtina është e vetëdijshme se kujdesi për disa mijëra refugjatë nuk do t’i kushtojë shumë, sepse plani është që ata të qëndrojnë në Kosovë vetëm përkohësisht, dhe Shtetet e Bashkuara pa dyshim do t’i paguajnë të gjitha shpenzimet”, shtoi më tej ai.

“Unë gjithashtu nuk besoj se vendet, përfshirë Serbinë, të cilat nuk ofruan ndihmë në kujdesin e refugjatëve nga Afganistani, do të pësojnë pasojat për shkak të kësaj. Kjo krizë së shpejti do të kalojë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të veprojnë sipas interesave të tyre dhe jo emocioneve”, përfundon ai.

Sipas Marinkoviq, Kosova aktualisht “ka infrastrukturën për të akomoduar një numër azilkërkuesish” nga Afganistani. Siç saktëson ai, Kosova ka dy qendra pritjeje pothuajse të zbrazëta “të ndërtuara ose përshtatura sipas marrëveshjes me BE -në për ripranimin dhe pritjen e emigrantëve ilegalë nga Kosova të disa viteve më parë”. /Insajderi.com