Andin Hoti: Familjet e të pagjeturve e kuptojnë se si është të rritesh pa baba

Andin Hoti: Familjet e të pagjeturve e kuptojnë se si është të rritesh pa baba

Andin Hoti, djali i veprimtarit Ukshin Hoti i cili është i zhdukur prej vitit 1999, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, në seancën e sotme ku po diskutohet për fatin e të pagjeturve, ka thënë se çështja e të pagjeturve duhet të jetë pika kryesore në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Sot është ditë me shenjë – është ditë që mban peng shpirtin e Kosovës”, tha Hoti.

“Ne e kemi iniciuar këtë debat jo për t’ju thënë familjeve të të pagjeturve se nuk ju kemi harruar dhe jemi me ju, por për të kërkuar zgjidhje për këtë çështje. Secili prej jush, e sidomos familjet që kanë të pagjetur e kuptojnë se si është të rritesh pa babain, e kuptojnë se si është të pritsh se ndoshta një ditë do ta shohësh”, tha ai.

Sot po mbahet seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet për të pagjeturit në Ditën Ndërkombëtare të tyre. Seanca është iniciuar nga Andin Hoti dhe deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci.

“Kosova ka fakte dhe dëshmi për krimet që ka bërë policia dhe ushtria serbe, pse mos t’i përdorim ato. Serbia ka regjistra për secilin person, ne duhet t’i kërkojmë ato lista. Ne duhet ta dimë se ku u dërgua Ukshin Hoti, me 16 maj 1999, në ditën e diele, kur u inskenua lirimi i tij nga burgu”.

“Na duhet përkushtim dhe seriozitet më i madh. Unë si djali i Ukshin Hotit do ta ngrit zërin për drejtësi. Kjo është detyra jonë sot”, tha ai.