Anel Rashkaj: Po kaloj formë të mirë, Bunjaki nuk më ka kontaktuar më

Anel Rashkaj: Po kaloj formë të mirë, Bunjaki nuk më ka kontaktuar më

Anel Rashkaj thotë se prej grumbullimit të fundit në përfaqësuesen e Kosovës, nuk është kontaktuar më nga përzgjedhësi Albert Bunjaki.

Rashkaj, i cili ka qenë kapiten i Kosovës para se Federata e Futbollit të Kosovës të pranohej me të drejta të plota në FIFA. Ai kishte udhëhequr futbollistët kosovarë si kapiten në ndeshjen e parë miqësore në kuadër të FIFA-s në ndeshjen ndaj Haitit, të zhvilluar në muajin mars të vitit 2014.

E futbollisti i AFC Eskilstuna i cili ndeshjen e fundit me Kosovën e ka zhvilluar në tetor të vitit 2014, në ndeshjen ndaj skuadrës zvicerane Wil, thotë se më nuk ka pasur kontakt me Bunjakin.

“Jo nuk kam pasur kontakt me të”, thotë Rashkaj, derisa shprehet se “nuk kam ndonjë mesazh të vecantë për të [përzgjedhësin Albert Bunjaki v.j]”.

27-vjeçari nga Prizreni në një intervistë me Gazetën Online Insajderi, ka thënë se ndihet mirë kur e sheh Kosovën të luajë ndeshje kualifikuese në kuadër të FIFA-s, edhe pse ai nuk është ftuar për këto ndeshje.

“Po e kam përcjell çdo lojë të përfaqësueses dhe e kam ndier vetën mirë që më në fund luajmë ndeshje kualifikuese”, thotë Rashkaj.

Edhe pse nuk bën pjesë në skuadrën përfaqësuese të Kosovës prej më shumë se dy vitesh, Rashkaj thotë se futbollistët e Kosovës i kanë lënë përshtypje të mirë. Thotë se mesfusha e përfaqësueses e bën diferencën.

“Mendoj që mesfusha ka qenë reparti më i mirë i përfaqësueses deri më tani. Nuk kam ndonjë të veçantë por mendoj që shumica e tyre kanë lënë përshtypje”, shprehet ish-kapiteni i Kosovës.

Mesfushori nga Prizreni ka kaluar një stinor në ligën e dytë të Norvegjisë vitin e kaluar, mirëpo këtë vit është bërë pjesë e skuadrës së elitës suedeze, AFC Eskilstuna. Në këtë skuadër, Rashkaj po luan në mesfushë përkrah ish-mesfushorit të Arsenalit, Emmanuel Frimpong.

“Jam duke luajtur në qendër të mesfushës së bashku me Frimpong që ka luajtur në Arsenal. Është ndjenjë e mirë shumë dhe e kemi gjetur njeri-tjetrin shumë shpejt”, i thotë Rashkaj Gazetës Insajderi.

Në tri ndeshjet e para të këtij edicioni me skuadrën suedeze, Rashkaj ka luajtur 260 minuta të plotë. Ai shprehet i lumtur që ka fituar besimin e trajnerit dhe shpreson në një edicion të mirë në aspektin personal dhe ekipor.

“Mendoj që kam filluar mirë. Jam duke luajtur rregullisht dhe kam shumë besim nga trajneri, ekipi është i ri në elitën e Suedisë dhe shpresojmë të paraqitemi sa më mirë”, tha ish-mesfushori i Sadnes Ulf dhe Halmstadt.

Rashkaj i cili karrierën e kishte filluar tek skuadra e njohur suedeze Halmstadt, cilësohej si njëri nga talentët më të mëdhenj të futbollit në Suedi. Ish trjaneri i tij tek Halmstadt, Janne Andersson e kishte krahasuar atë me Zinedine Zidane dhe Cesc Fabregas. /Insajderi.com