Anëtari i Bordit të RTK-së reagon pas publikimit të bisedës së tij me gazetarin

Anëtari i Bordit të RTK-së reagon pas publikimit të bisedës së tij me gazetarin

Anëtari i Bordit të RTK-së, Naim Gashi ka thënë se RTK-ja kishte shtrembëruar të vërtetën në një ngjarje ku ishte përmendur emri i tij, në një reagim ndaj publikimit të një bisede të tij në Facebook me ish-gazetarin e Transmetuesit Publik, Nebih Maxhuni.

Insajderi ka raportuar sot se anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Naim Gashi i kishte thënë ish-gazetarit të RTK-së, Nebih Maxhunit, se “kush i shtin brinat me mua në RTK nuk ndahet kollaj”.

Gashi, përmes një statusi të shkruar në Facebook, ka thënë se reagimi i tij në atë bisedë ka qenë në kontekst të kërkesës për raportim korrekt.

“Siç edhe kanë mundur ta vërejnë lexuesit, reagimi im në atë bisedë ka qenë në kontekst të kërkesës për raportim korrekt në RTK”, ka thënë Gashi.

Për të parë videon, klikoni këtu: VIDEO

“Si anëtar i Bordit të RTK-së, vazhdimisht kam kërkuar zbatim të standardeve profesionale dhe natyrisht nuk mund të pritej prej meje të mos reagoja dhe të mos kërkoja llogari kur RTK-ja kishte shtrembëruar të vërtetën në një ngjarje ku edhe unë si anëtar i Bordit isha prezent.” 

Gashi ka thënë se publikimi i bisedave të tij me ish-gazetarin e RTK-së është tendencë për të “prishur llogaritë manipuluese me rastin e zgjedhjes së paligjshme” të Mufail Limanit si ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së.

“Lansimin e këtij shkrimi pikërisht sot e shoh si tendencë të ulët hakmarrjeje për prishjen e llogarive manipuluese, sot me rastin e përpjekjes për ta shitur si të ligjshëm zgjedhjen e paligjshme të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së si dhe denoncimin e të gjitha shkeljeve në RTK, gjatë tërë mandatit tim si anëtar i Bordit”, ka thënë ai.

Në shkrimin e tij, Gashi ka thënë se “publikimi i kësaj bisede me ish-punëtorin e RTK-së nuk më implikon në asnjë formë.” 

Në bashkëbisedimin mes Gashit dhe ish-gazetarit të RTK-së, Nebih Maxhunit, të cilin e ka publikuar në Facebook ish-gazetari i Transmetuesit Publik, Gashi i ankohej Maxhunit për një kronikë televizive ku emri i tij ishte përmendur në një Komision Parlamentar.

“Po më intereson, kornikën e mbrëmshme prej Komisionit a ke qenë ti dora e fundit?”, i thotë anëtari i Bordit të RTK-së, gazetarit Maxhuni. “Aty emri im përdoret në aspektin pezhorativ edhe smë erdhi mirë që ishe ti. Të paktën prej teje se kam prit”.

“Kush i shtin brinat me mua në RTK nuk ndahet kollaj”, i thotë anëtari i Bordit të RTK-së, gazetarit Maxhuni, i cili nuk punon në Transmetuesin Publik prej fillimit të këtij viti. /Insajderi.com