Anëtari i LDK-së: Haradinaj nuk po ka fuqi të shkarkoj politikanë “të fuqishëm”

Anëtari i LDK-së: Haradinaj nuk po ka fuqi të shkarkoj politikanë “të fuqishëm”

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Bajram Gecaj i ka dal në mbrojtje zëvendësministrit, Musa Cena të arrestuar për veprën penale “Ryshfet dhe Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, i cili tashmë edhe është shkarkuar nga ky post.

Gecaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se kryeministri Haradinaj është duke shkarkuar personat të pafuqishëm politikisht.

“Kryeministri Haradinaj sot kishte shkarkuar zëvendësministrin e partisë së tij, të pafuqishëm politikisht, Musa Cena. Megjithatë, nuk e kishte bërë të njëjtën me shumë zyrtarë tjerë, duke përfshirë zëvendëskryeministra e ministra politikisht “të fuqishëm”, e që tanimë formojnë një “hordhi” të tillësh”, ka shkruar Gecaj.

Gecaj ndër tjera ka thënë se partia e tij këtë nuk do ta lejonte.

“Standarde të dyfishta e mungesë lidershipi i thonë kësaj, por assesi jo veprim parimorë! Qeveria e LDK-së nuk kishte toleruar asnjë të tillë!”, ka përfunduar Gecaj.

Musa Cena është arrestuar të shtunën në mbrëmje së bashku me dy persona tjerë, njëri zyrtar në Komunën e Rahovecit dhe tjetri pronar i një kompanie private.

Lidhur me këtë vepër penale Gjykata ka vendosur një muaj paraburgim Cenës dhe personave të tjerë. /Insajderi.com