Anëtari i PDK-së zgjedhet Drejtor Financiar në ujësjellësin Prishtina

Drejtori i ri Financiar në Ujësjellësin Rajonal Prishtina, Sokol Duraku dha dorëheqje nga pozita e Këshilltari Komunal të PDK-së në Fushë Kosovë, një ditë pasi që e mori këtë detyrë. Kurse Ligji për Ndërmarrje publike parasheh që të mos ushtrohet asnjë aktivitet si zyrtar i zgjedhur publik e as post në ndonjë parti politike, 36 muaj para aplikimit për drejtor.

Anëtari i PDK-së zgjedhet Drejtor Financiar në ujësjellësin Prishtina

Sokol Duraku, që figuron si anëtarë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Këshilltarë komunal i kësaj partie në komunën e Fushë Kosovës, është zgjedhur drejtor kryesor Financiar në Ujësjellësin Rajonal Prishtina.

Bordi i drejtorëve i kësaj ndërmarrjeje, me 31 gusht e ka shpallur Durakun si kandidatin më të suksesshëm në konkursin publik, shkruan Insajderi.

Sipas vendimit të Bordit, Duraku ka nisur zyrtarisht punën si drejtor Financiar të enjten me 8 shtator. Ai në këtë pozitë ka qenë edhe ushtrues detyre që nga muaji mars i këtij viti.

Duraku do të menaxhoj financat e KUR “Prishtina” për tre vitet e ardhshme.

llogo-vendimi

I kontaktuar nga Gazeta Insajderi, Sokol Duraku  tha se ka dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltarit komunal në Fushë Kosovë, një ditë pasi u zgjodh drejtor Financiar.

“Me 31 jam zgjedh si drejtor e 1 shtator e kam dorëzu dorëheqjen në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës edhe në Agjencionin Kundërkorrupsion që me i informu se unë nga ai moment e kam marrë detyrën e re”, tha Duraku.

Mirëpo ky veprim i Durakut bie ndesh me ligjin për ndërmarrjet publike, pasi ai e specifikon qartë se 36 muaj para aplikimit për drejtor nuk duhet të ushtrohet asnjë aktivitet si zyrtar i zgjedhur publik e as post në ndonjë parti politike.

Saktësisht në nenin 17 të këtij ligji kërkohet që drejtorët e ndërmarrjeve të jenë të pavarur.

“Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: k) është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”.

Duraku deklaron se është larguar edhe nga pozita e anëtarit të PDK-së,  por thotë se se nuk ka dorëzuar dorëheqje me shkrim, vetëm se nuk po ushtron asnjë aktivitet të partisë.

”Jam largu më herët nga pozita e anëtarit të PDK-së, nuk jam ka merrna me asnjë aktivitet politik edhe  zyrtarisht nuk qëndroj me asnjë parti politike.  Nuk ka dokumente të shkrume në këtë parti, por ka kohë që unë ju kam thanë  se nuk qëndroj më as me Partinë Demokratike të Kosovës”, tha Duraku.

Kur u pyet pse ende figuron emri i tij si anëtar në ueb faqen zyrtare të kësaj partie, Duraku tha se “Në ueb faqe mund të figuroj edhe 20 vjet është punë e tyre kur e update-ojnë faqen. Por unë  jam në rregull në kuptimin politik nuk qëndroj prapa kërkujt”

14151830_1190325067695071_2076564352_o

Ndërkaq në Ujësjellsin rajonal Prishtina thonë se Sokol Duraku që u zgjedh në mesin e shtatë kandidatëve që kanë qenë pjesëmarrës në konkursin për zyrtar kryesor Financiar, i plotësoi të gjitha kriteret për këtë pozitë.

“Te gjitha kriteret e bazuara mbi Ligjin për Ndërmarrjet Publike neni . 17 si dhe performanca e treguar e z. Duraku si UD i ZKF-se dhe si njeriu me kredibil ne fushën financiare sipas konkursit te shpallur me date 23.07.2016”, tha Arieta Mjeku.

Gazeta Insajder i ka raportuar  në vazhdimësi keqpërdorimet dhe konkurset në  kompaninë ujësjellësi Prishtina.

Në mars të këtij viti gazeta shkruajti për tenderin  52 mijë euro të cilin e fitoi kompania në të cilën ishte i punësuar Amir Gashi, kryesues i Bordit të Drejtorëve të saj.

Gashi ishte emërua në këtë post publik  në fund të  vitit të kaluar, kurse dy muaj pas  ndërmarrje e shpalli fituese të tenderit “Sigurimi nga Autopërgjegjesia i Automjeteve të KUR Prishtina Sh.A”,  kompaninë “Sigkos”, edhe përkundër  faktit se tenderi u përcoll me shkelje të ligjit të prokurimit publik dhe rregullores së Bankës Qendrore për zbatimin e tarifave të sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë.

Në muajin maj Insajderi shkruajti për procesin e intervistimit të kandidatëve të për kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjes.

Në mesin e gjashtëmbëdhjetë konkurrentëve katër prej tyre nuk kishin arritur të dëshmojnë që nuk ishin nën hetime.

Megjithatë, bordi i drejtorëve i kishte ftuar për intervistim edhe katër konkurrentet që nuk kanë dorëzuar këtë dokument të kërkuar nëpërmjet konkursit publik.

Gazeta gjithashtu zbuloi se Florent Hoxha, i cili kishte mbajtur gjatë postin e nënkryetarit të komunës dhe nënkryetarit të degës së PDK-së në Lipjan, ishte njëri prej 16 konkurrentëve që synojnë postin e kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit Prishtina.

Hoxha ishte njëri nga kandidatët që nuk e kishte dorëzuar dëshminë që nuk ishte nën hetime.  /Insajderi.com