Anëtarja e VV-së eskalon në fyerje të tjera ndaj Insajderit

Anëtarja e VV-së eskalon në fyerje të tjera ndaj Insajderit

Anëtarja e VV-së dhe zyrtarja e MKRS-së, Donika Gashi ka vazhduar me fyerje të tjera ndaj gazetarëve të Insajderit.

Insajderi ka kërkuar përgjigje nga institucioni ku ajo punon, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nëse ata distancohen lidhur me qëndrimet e Gashit ndaj komunitetit LGBTI. Por këtë,  ajo e ka quajtur kërkim llogaridhënie.

“Dikush nga “Insajderi” paska shkuar në Ministrinë e Kulturës, gjegjësisht në Departamentin e Rinisë, në vendin tim të punës dhe paska kërkuar llogari nga drejtori i Departamentit për qëndrimet e mia personale. Hahaha!!! ( Ndërkohë që unë zyrtarisht jam në pushim sepse para pak kohe jam operuar nga bajamet.)”, ka shkruar Gashi në një postim në Facebook.

Pasi fyu gazetarët e Insajderit pas publikimit të tekstit të parë për deklaratën e saj fyese ndaj komunitetit LGBTI, duke i quajtur “mbeturina gazetaruce”, Gashi ka vazhduar edhe më tej me fyerje.

Këtë herë ajo i ka quajtur gazetarët e këtij mediumi “hijena” dhe raportimet e Insajderit “tentim-përdhosje”.

“Sa qesharak! Apo kush i nxiti këta hijena?

Do të përgjigjeni në Gjykatë për këtë tentim-përdhosje publike.

Ndërkaq, edhe pushka top në iu bëftë juve, për së gjalli s’keni me arritë as me m’frikësu as me m’i ndrru bindjet personale. Pirdhuni!

Shihemi në gjyq së shpejti!”, ka shkruar Gashi.

Kujtojmë se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është distancuar nga qëndrimet e Donika Gashit.

Nga qëndrimet e anëtarës së saj, është distancuar edhe Lëvizja Vetëvendosje.