Anglezët për biletat: Çka është kjo uebfaqe hajgare

Anglezët për biletat: Çka është kjo uebfaqe hajgare

Edhe tifozët anglezë kanë mbetur tejet të frustuar, lidhur me biletat e ndeshjes Kosova – Anglia.

Sot Federata e Futbollit e Kosovës doli me njoftim se shitja e biletave do të riniste sonte, me fillim nga ora 21:30, shkruan Insporti

Ashtu edhe ndodhi, por u rishfaqën problemet e njëjta. Në uebfaqen ‘tiks app’, ku bëhet blerja online e biletave për ndeshet e Kosovës, kyçja në llogari ishte pothuajse e pamundur për disa minuta.

Më pas, kur të interesuarit arritën të kyçeshin me sukses, nuk figuronte pothuajse asnjë biletë, pasi ato duket se ishin shitur të gjitha brenda shumë pak minutave.

Bileta ka pasur në dispozicion vetëm për pjesën jugore pasi që për pjesët e tjera duket se ishin shitur më herët. Shitja e tyre fillimisht ishte paraparë të fillonte të martën, në orën 16:00, mirëpo uebfaqja kishte rënë jashtë funksionit.

Përveç tifozëve kosovarë, të frustruar me uebfaqen e ‘tiks app’ janë edhe anglezët, që kanë hasur në probleme të njëjta.

“A arriti ndokush të sigurojë bileta? Uebfaqja është totalisht hajgare”, ka shkruar një tifoz në ‘Twitter’.

“Aty po shkruhet që nuk ka asnjë në secilën tribunë”, ia ktheu një tifoz tjetër, derisa ai reagoi se “do ta blente një në tregun e zi të dielën”.

Kosovë – Angli do të zhvillohet këtë të diel, me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”. /Insporti.com/