Ankesa e ministrit Demiri çoi në suspendimin e dy policëve

Inspektorati i Policisë ka trajtuar rastin dhe ka konkluduar se nuk ka argumente të mjaftueshme që dy policët kanë pasur sjellje jo të hijshme në raport me ministrin Demiri

Ankesa e ministrit Demiri çoi në suspendimin e dy policëve

Gazeta Zëri raporton se policët, Nazmi Jahiri dhe Enver Sejfullahu, po bënin punën e tyre të zakonshme kur me 13 korrik të vitit të kaluar kishin vendosur të shqiptonin një gjobë për një person që kishte parkuar veturën në vendin e ndaluar, në qytetin e Prizrenit.

Vendimi për ta ndëshkuar shkelësin për ta “doli të ishte i gabuar”.

Personi që ngiste veturën zyrtare ishte shoferi i ministrit pa portofol në Qeverinë e Kosovës, Rasim Demiri, i cili me t’u afruar tek vetura iu kishte rekomanduar policëve që të mos shqiptonin dënimin, ndërkohë që ua kishte bërë me dije atyre se është ministër.

Por, fakti se në atë veturë po futej një ministër nuk u la fare përshtypje të dy policëve, të cilët thonë se në atë moment vetëm po e kryenin detyrën sipas ligjit.

Ministri Demiri ishte ankuar ndaj dy policëve duke pohuar se policët kanë pasur sjellje të pahijshme.

Policia regjionale e Prizrenit kishte konkluduar se dy policët kishin bërë shkelje të rënda disciplinore dhe i kishte suspenduar.

Zëri raporton se Inspektorati i Policisë ka trajtuar rastin dhe ka konkluduar se nuk ka argumente të mjaftueshme që dy policët kanë pasur sjellje jo të hijshme në raport me ministrin Demiri. Vendimi i inspektoratit është marrë më 21 dhjetor 2015.