Ankohet deputeti VV-së: Opozita ka mungesë kreativiteti

Ankohet deputeti VV-së: Opozita ka mungesë kreativiteti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, thotë se opozita “po i shqetëson me mungesë kreativiteti”.

Kjo deklaratë erdhi pasi deputeti renditi “sukseset e Qeverisë”, të ditëve të fundit.

“Vaksinat, konfiskimi, homologimi, AKP-ja, vetingu dhe shumë e shumë projekte po realizohen”, ka shkruar ai në Facebook.

Por, opozitën e cilëson “anemike”, pasi sipas tij “ide nuk po kanë’.

Ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua opozitës se “mund t’ju jep ide sesi ta kritikojnë”.

“Unë besoj në ekonominë e kërkesës jo të ofertës, duhet të më kërkoni këtë”, kishte thënë Kurti.

Por, opozita po  beson se kreu i ekzekutivit “dështimet po i paraqet si suksese”.

Këtë e lidhin me “vonimin e vaksinave”, pasi Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arbem Vitia, njoftuan të premten se “kanë arritur marrëveshje me Pfizer për blerjen e mbi 1 milion e 200 mijë doza vaksinash”, deri në fund të vitit 2021.

Sipas, Kurtit “të mirat vinë ngadalë, ndërsa të këqijat duhet të ndalen shpejt”.

Për këtë, ka nisur procedurën për largimin e homologimit si dhe shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. /Insajderi.com