Antibiotikët konsumohen pa kontroll

Antibiotikët konsumohen pa kontroll

Frika nga virusi korona në Maqedoninë e veriut ka bërë që të konsumohet numër rekord i antibiotikëve.

Azithromycin i njohur si Sumamed dhe Cefixime i njohur si Pancef janë dy barërat që kanë dyfishuar recetat prej kur se shpërtheu pandemia në vendin fqinj.“Në periudhën kohore mars-tetor, rreth 118.000 receta janë lëshuar nëpër barnatore në kuadër të Fondit për Azithromycinën dhe rreth 37.000 receta për barna nga prodhues të tjerë shtesë, të cilat përmbajnë të njëjtin përbërës aktiv dhe konsiderohen si barna gjenerike paralele.

Në barnatore gjatë periudhës mars-tetor janë lëshuar edhe rreth 61.000 receta në kuadër të Fondit për barin Cefixime -njoftojnë nga Fond i Sigurimit Shëndetësor në vendin fqinj.

Sipas Fondit Shëndetësor të RVM-së këto janë vetëm shifrat e regjistruara nga recetat elektronike të lëshuara prej mjekëve amë. Ndërkaq, sipas tyre, numri real i konsumit të antibiotikëve është shumë më i lartë, ngaqë shteti nuk ka kontroll ndaj shitjes private të tyre. Për të njëjtën periudhë në 2019, rreth 74.000 receta janë lëshuar për barin SUMAMED dhe rreth 65.000 receta janë lëshuar në kuadër të Fondit për barin PANCEF, kumtojnë nga Fondi Shëndetësor. /Insajderi.com