Antony Blinken i shkruan Albin Kurtit

Antony Blinken i shkruan Albin Kurtit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet të cilës e ka përgëzuar atë dhe popullin e Kosovës për zgjedhjet e suksesshme dhe demokratike të cilat u mbajtën më 14 shkurt, njofton Insajderi.

Ai ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur formimin e qeverisë së re dhe se presin të punojnë ngushtë për të siguruar “që Kosova sovrane, e pavarur, shumë-etnike dhe demokratike të zë vendin e saj si partner i barabartë në familjen euro-atlantike”.

Letra e tij u bë e ditur nga Qeveria, që nëpërmjet një njoftimi thuhet se sekretari Blinken i ka mirëpritur zotimet e kryeministrit Kurti për luftën ndaj korrupsionit, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe rikuperimin nga pandemia COVID-19, si edhe përpjekjet e tij për realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës.

Më tej, në letër ai ka thënë se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim”, ka thënë sekretari Antony J. Blinken. /Insajderi.com